Tirana kërkon fitoren e parë sezonale në kampionat dhe java e tretë, e gjen përballë kampionëve në fuqi të Egnatias.

Në prag të kësaj përballje, trajneri i bardhebluve, Bledi Shkëmbi, deklaroi se skuadra e tij është në gjendje të mirë, ndërsa theksoi se shpreson që të kenë edhe fatin në krahun e tyre.

“Gjendja e grupit është e mirë. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë javës, për fat të mirë nuk kemi pasur probleme, veç se ata që dihen, Përgjoni dhe Meta. Në përgjithësi skuadra është mirë dhe shpresoj që të jenë në maksimum.

Egnatia është kampione në fuqi edhe këtë vit e ka nisur mirë, ne jemi të qartë me kë skuadër luajmë, forcën e saj, kemi respekt për lojtarët dhe gjithçka që ka bërë vitet e fundit. Patjetër që mendojmë të bëjmë më të mirën, kemi përgatitur ndeshjen, shpresojmë të kemi edhe fatin me ne.”, deklaroi Shkëmbi.

Ndeshja mes Tiranës dhe Egnatias, do të luhet këtë të diel, duke nisur nga ora 20:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. /tvklan.al