Lajme Arkiva 2003

Qeveria shqiptare ka nxjerrë një vendim për dhënien e pasaportave diplomatike për familjen e ish-mbretit Zog. Në një njoftim të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave bëhet e ditur se familja e ish mbretit zog duhet rehabilituar në aspektin qytetar, nisur kjo dhe nga këndvështrimi dhe nga fryma e re politike në vend apo nga precedentë të tjerë të ngjashëm që kanë ndodhur kohët e fundit në vende të tjera evropiane.

Menjëherë pas kësaj në emër të pretendentit për fron Leka Zogut vendimin e qeverisë e ka vlerësuar edhe kryetari i zyrës së oborrit mbretëror Fluturak Gërrmenji.

Fluturak Gërrmenji: Njoftimi për këtë u bë personalisht nga kryeministri, i cili kërkoi të informohej mbreti Leka për vendimin e qeverisë. Familja mbretërore e falënderoi për këtë vendim të qeverisë dhe natyrisht autorizoi oborrin mbretëror, mua me cilësinë e kryetarit të zyrës së oborrit mbretëror për ta falënderuar kryeministrin dhe qeverinë për vendimin që ka marrë. Kjo është pjesë e negociatave që kanë filluar që kur ka ardhur familja mbretërore. Është punuar më parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të cilët kanë autorizuar përdorimin e pasaportave të familjes mbretërore në rastin kur Nëna Mbretëreshë Geraldinë shkoi në Francë për operacionin. Ndërsa tani në këtë kuadrin e përgjithshëm dhe pas botimit të kujtimeve të mbretit zog në gazetën “Korrieri”, gjërat po dalin në të vërtetën e tyre historike dhe natyrisht shumë mentalitete tashmë janë thyer./tvklan.al