Qeveria studentore është e ligjshme dhe e njohur nga Karta e Bolonjës të cilën e ka firmosur dhe vetë ministri Memushi një vit më parë. Sipas kësaj përfaqësie studentore legjitimiteti i tyre është njohur nga parlamenti që në vitin 2003. Ndaj përfaqësuesit e qeverisë, rektorëve dhe dekanateve duhet t’i dëgjojnë dhe pranojnë alternativat e kësaj qeverie. Në takimin e zhvilluar sot me drejtorin e Arsimit të Lartë Agim Muça qeverisë së studentëve iu është premtuar se brenda shtatorit do të jenë gati aktet nënligjore me përfundimin e të cilave mbyllet edhe debati për këtë çështje.

Drejtuesi i qeverisë së studentëve Alban Nela tregon për Televizionin Klan zvarritjet e gjata prej 8 muajsh nga Ministria e Arsimit dhe disa nga arsyet pse përfaqësuesve të qeverisë dhe pedagogëve nuk iu intereson kjo përfaqësi studentësh.

Alban Nela: “Çështja është që është një kohë shumë e gjatë që studentët nuk merren parasysh në çastet që merren vendime, qoftë në departamente, qoftë në këshille fakulteti, qoftë në senat universiteti apo qoftë dhe në Ministrinë e Arsimit dhe ndoshta kjo situatë i është ëmbëlsuar së tepërmi drejtuesve të këtyre dhe është në interestë tyre që këto struktura të mos ekzistojnë.” /tvklan.al