Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë mbërritur shtesat për studentët që kanë konkurruar këtë vit akademik. Këshilli i Ministrave ka vendosur që universiteti më i madh në vend, ai i Tiranës, të përfitojë vetëm 218 shtesa. Ndërkohë që fakultet më të kërkuara, ai i Ekonomikut dhe Juridikut nuk përfitojnë nga këto shtesa.

Dekani i Juridikut Kudret Çela thotë, se numri i pakët i studentëve të pranuar në këtë fakultet në raport me ata që kanë konkurruar, ka bërë që shtesat në këtë fakultet të jenë shumë të domosdoshme.

Kudret Çela:- “Për Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës, nuk parashikohen shtesa, kërkesat janë tepër të mëdha për këtë fakultet. Natyrisht me këto kërkesa, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën demokratike, Fakulteti i Drejtësisë është një nga më të kërkuarit, por unë mendojë se shkaku kryesor në mos zgjerimin e kapaciteteve të studentëve në këtë fakultet është klauzola që ka rekomanduar Banka Botërore, për këtë fakultet, në kuadrin e një kredie që ka akorduar edhe për Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës, sipas së cilës pranimet në këtë fakultet të mos kalojnë shifrën prej 125 studentë në vit. Kjo motivohet me arsyetimin, se duke pasur një kontigjentë më të frenuar pranimesh, do të forcohet më shumë cilësia profesionale shkencore e juristëve tanë të rinj”.

Çela shprehet, se me gjithë kushtet aktuale, kur ambientet e këtij fakulteti janë të kufizuara ata mund të përballojnë një numër të konsiderueshëm studentesh të tjerë. Por edhe në fakultetet e tjera, numri i studentëve që kanë përfituar nga shtesat e bëra me VKM është jo i konsiderueshëm, në raport me kërkesat e larta të tyre. Kështu Fakulteti i Mjekësisë përfiton 28 shtesa, Fakulteti i Shkencave Sociale përfiton 14 shtesa, Fakulteti i Histori-Filologji 44 shtesa dhe Fakulteti Gjuhët e Huaja 59 shtesa./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka