Radhë, pasi të kërkohet kudo një dëshmi penaliteti e cila për tre muaj vlen. Në të vetmin sportel në Ministrinë e Drejtësisë përplasen të gjithë qytetarët nga rrethet e jo vetëm një herë. Zonja vjen nga larg e s’ka arritur të dorëzojë certifikatën.
“ Nuk arritëm në 9, erdhëm në 9:30, kur erdhëm ktu e gjetëm derën t’mbyllme, as sqarim, asgjo po prsim kot deri n’4 që të bëhet sqarimi tjerve që kanë dorzu dokumentat që po i marrin. Po i presim ne, po i thojm në qoftë se na kryjn punë mirë përndrysh t’shkojm n’Pukë edhe njëherë sot t’vijmë nesër prap. Njëzet mijë lek na bo rruga sot dy vet edhe njëzet mijë lek nesër që do vijmë pra u bënë katërdhjet mijë lek. Njëzet mijë lek marrim përkrahje ne vet i treti, me atë njëzet mijë lek jetojm n’mujt.”
“Për ven pune, për ven pune n’privat.’
Gazetarja: Dhe këtë nuk mund ta merrni dot në Pukë , duhet marrë në Tiranë?
“Vetëm n’ Tiranë t’Ministrisë t’Drejtsisë.”
Gazetarja: Dhe vendi i punës cili është?
“ Është polici private, roje, n’spital Kuks.”
Mbaron punë brenda ditës, por pritet me orë të tëra, kjo pasi ka personel të reduktuar e mungesë kompjuterizimi. Zonjave ju duhet të kontrollojnë në 450 000 skedarë për të gjetur të dhënat e 1500 personave të çdo dite. Lodhje, por edhe përgjegjësi penale. Ministri i Drejtësisë pranon që ka një situatë të rënduar, problemi është i trashëguar e kërkesat vijnë në rritje. Ai u kërkon ndjesë qytetarëve dhe jep variantet që do ta zgjidhin këtë çështje.
Fatmir Xhafaj: “E kemi biseduar edhe në qeveri edhe me kolegët e tjerë që jo vetëm për dëshmitë e penalitetit, por edhe për shërbime të tjera të kësaj natyre të ngushtohen në minimum dhe po shkojmë gradualisht drejt idesë që qytetari të nënshkruajë një dokument paraprak vetë për plotësimin e atyre të dhënave. Të jetë pastaj institucioni i interesuar apo subjekti i interesuar që të kërkojë vlefshmërinë apo rregullshmërinë e atij dokumenti të nënshkruar. Nga buxheti që ka Ministria e Drejtësisë edhe me, edhe me miratim të qeverisë kemi heq nje fond të caktuar për ta kompjuterizuar, sepse sot puna e zyrës bëhet në mënyrë manuale me dorë. Mund të zgjidhet vetëm me një shërbim më të mirë brënda mundësive që ofrojnë kushtet tona. Në fund të qershorit do të ketë një shërbim më të shpejtë dhe më të kulturuar. Mbas qershorit ne do të synojmë që maksimalisht deri në fund të vitit ky shërbim të mos jepet më në sportelin tonë, por të jepet në gjykatat e rretheve.” /tvklan.al