Nis trajtimi me plazmë i të infektuarve me Covid-19

Nga kjo e martë në Spitalin Infektiv nis për herë të parë trajtimin me plazmën e të shëruarve nga Covid-19.

“Sot nisim mjekimin me dy pacientë. Gjej momentin t’i bëj thirrje popullatës që ka qenë e sëmurë me Covid që të bëjë dhurime gjaku”, tha Najada Çomo.

Gjatë prezantimit të kapaciteteve për përballimin e pandemisë në periudhën vjeshte-dimër, i pranishëm Kryeministri i njohu stafin e Spitalin Infektiv me një vendim të rëndësishëm për ta.

Fluksi që ju është dashur të përballojnë nga situata pandemike, por dhe largimi i shumë prej tyre drejt vendeve europiane e ka bërë qeverinë të rishohë pagat e mjekëve dhe infermierëve.

“Ne duam që të realizojmë një rritje pagash që të jetë e konsiderueshme, jo vetëm 5%-7%. Ne po bëjmë kalkulimet e fundit. Përtej bonusit 1000 Euro që merrni ju, po flas për të gjithë infermierët e Shqipërisë. Ta fusim në buxhet dhe ta bëjmë fakt qysh në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Gjatë takimit që ka zhvilluar me stafin bluzave të bardha të Spitalit Infektiv kreu i qeverisë garanton se është planifikuar buxheti i nevojshëm për blerjen e vaksinave të gripit stinore që do shpërndahen falas, por dhe për vaksinën anti-Covid kur ajo të jetë gati.

“Kemi bërë një rezervim për vaksinën kur të dalë dhe ajo është një proces më vete”, tha Rama.

Një sfidë e vështirë pranon se do të jetë hapja e shkollave në këtë situatë.

“Fëmijët janë më pak të rrezikuar, por jo të imunizuar, janë transmetues”, tha Rama.

Ministrja e Shëndetësisë duke prezantuar planin për vjeshtën dhe dimrin thotë se janë gati strukturat për 2 spitalet Covid 3 dhe 4, por nuk do të hapen deri sa të ezaurohen kapacitetet e 2 spitaleve aktuale. Pjesë e këtij plani është dhe rikonstruktimi i plotë i Spitalit Infektiv.

Tv Klan