Pas Piramidës, e shndërruar në një prej qendrave më të mëdha dixhitale të Ballkanit, qeveria synon të nxisë sipërmarrjen në sektorin e teknologjisë edhe përmes dy projekteve të ngajshme.

Detajet Kryeministri Rama i ndau në podkastin e tij me Kevin Sekniqin, një i ri nga Shkodra që jeton në Amerikë, i renditur nga revista prestigjoze “Forbes” në listën e 30 sipërmarrësve më të suksesshëm.

Edi Rama: Jemi në proces për dy të tjera, simotra të Piramidës, në Shkodër dhe Vlorë. Ndoshta për atë të Shkodrës do përfshihesh edhe ti personalisht. Ne po përpiqemi të bëjmë që t’i japim një shtytje më të madhe sektorit privat.

Në funksion të inovacionit, Rama paralajmëroi edhe një tjetër projekt.

Edi Rama: Ne së shpejti hapim parkun teknologjik që e kemi quajtur Durana në bashkinë e Durrësit, një zonë me një ligj të veçantë, me incentivë të favorshëm për sektorin e “hi tek” dhe është një park për t’i dhënë mundësi kompanive që të jenë pjesë e një ekosistemi ku në aspektin e ngarkesave burokratike fiskale të jenë të lira, duam të tërheqim kompani të huaja nga Europa.

30- vjeçarit i foli edhe për kushtet favorizuese që ofron Shqipëria në sektorin e sipërmarrjes.

Edi Rama: Kanë paga njësoj si jashtë taksa më pak se jashtë.

Këto investime sipas Ramës dhe zhvillimi i ekonomisë kanë bërë që Shqipëria të kthehet një destinacion turistik për të huajt, duke e ftuar të riun nga Shkodra që të nxitojë për të pasur një apartament në Kryeqytet.

Edi Rama: Sepse do shkojë gjithnjë e më vështirë, ky qytet në harkun e 5-6 viteve do jetë shume cosmopolitan dhe këtu do ketë shumë të huaj që do jetojnë.

Kevin Sekniqi është bashkëthemeluesi i “Ava Labs”, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, që numëron mbi tre milionë përdorues si dhe në krijimin e AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë Dollarë.

Tv Klan