Turi i takimeve të kryetarit socialist Edi Rama me rrjetin e vullnetarëve është ndalur në qytetin e Tepelenës. Duke shprehur bindjen për nevojën e ndryshimit. Rama ka kritikuar qeveritë e këtyre 18 viteve për premtimet e pa mbajtura që sipas tij e kanë zhytur në varfëri Tepelenën dhe qytet e tjera të vendit.

Edi Rama: “Kjo politikë e vjetër që jeton me dështimet që i shkakton vetë, duhet të marrë fund dhe ne duhet të konkurrojmë se kush i bën gjërat më mirë në shërbim të njerëzve dhe jo kush bllokon, pengon e shan më shumë tjetri, duke i nxitur mllefin dhe përçarjen mes njerëzve dhe duke e vonuar vendin në rrugën e krimit të mirëqenies për komunitet dhe për njerëzit si dhe në atë të integrimit në BE”.

Në këtë takim Rama u bëri apel të rinjve ta shohin 28 qershorin si një mundësi për t’u ndarë nga e shkuara duke mos mbetur peng i politikës së vjetër.

Edi Rama: “Zgjedhjet e 28 qershorit, nuk janë zgjedhjet e mia, po janë zgjedhjet tona. Këto zgjedhje janë të lidhura me atë që ne mund të bëjmë së bashku për të kthyer fletën e historisë duke kthyer politikën nga mjet ekskluziv jetese i politikanëve në mjetin e ndryshimit në duart e qytetarëve”.

Lideri i opozitës i shoqëruar dhe nga deputet të tjerë socialist, u ka bërë apel qytetarëve që të bëhen sipas tij pjesë e bashkimit të ri të gjithë shqiptarëve për të sjellë ndryshimin e shumëpritur./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako

Montazh: Ergis Hasanbelli