Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot në Tiranë një takim të gjithë krerët e partive politike të Maqedonisë së Veriut.

Pyetje: A i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së z.Rama të gjitha partitë politike të Maqedonisë së Veriut?

Gazetarja Elja Zotka: Jo, nuk i janë përgjigjur të pestë forcat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ftesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama për këtë darkë në vilën 30. Mungon Bilal Kasami i Lëvizjes Besa. Ndërkohë që janë prezent Ali Ahmeti i BDI, Menduh Thaçi i PDSH-së, Arben Taravari i Aleancës dhe Afrim Gashi i Alternativës. Z.Ahmeti është i shoqëruar dhe nga zv/Kryeministri, z.Grubi.

Pyetje: Çfarë do të diskutohet në këtë takim?

Gazetarja Elja Zotka: Ky është një takim që ka ngjallur shumë debate në Shkup. Sipas kreut të Besa, ky takim bëhet për të mbyllur gjithë problematikat që ka hapur partia e Ali Ahmetit në qeverisje, ndërkohë që analistë të tjerë dhe opozita atje deklarojnë se ky takim po zhvillohet për t’u mbushur mendjen partive shqiptare për të mbajtur në pushtet partinë e Kovaçevskit, shumicën e Kovaçevskit dhe Zaevit. Por ndërkohë nga Kryeministria, nga informacionet që ne kemi marrë në rrugë zyrtare, thuhet që takimi zhvillohet për të folur për sfidat e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, vetëm pak minuta përpara se ne të kishim këtë komunikim së bashku, unë arrita t’i shkëpus dy fjali të shkurtra z.Ahmeti, i cili u fut në këtë takim. Sipas tij, aty do të flitet për të ardhmen demokratike të Maqedonisë së Veriut. Ai nuk e përjashtoi që do të kishte diskutime edhe për ndryshimet kushtetuese, por nuk do të ishte fokusi pikërisht tek kjo çështje. Për të bërë më të qartë për publikun shqiptar, ndryshimet kushtetuese janë ndryshime të cilat diktohen nga BE. Brenda këtij viti, RMV duhet të miratojë me patjetër ndryshimet kushtetuese që erdhën si domosdoshmëri pas ngërçit që ky shtet pati me Bullgarinë dhe vetëm pasi u ra dakord që të kryheshin këto ndryshime kushtetuese, BE vendosi të çelë negociatat për Maqedoninë e Veriut, edhe për Shqipërinë. Duhet patjetër që brenda këtij viti të miratohen ndryshimet kushtetuese, opozita atje nuk është dakord të miratohen këto ndryshime, janë 120 deputetë në Parlamentin e RMV dhe duhen minimalisht 80 deputetë të votojnë pro këtyre ndryshimeve. Ndaj dhe është ky debat dhe mendohet që ky takim të ketë fokusin tek këto ndryshime dhe qëndrimi që duhet të mbajnë faktori politik shqiptar në Parlamentin e Shkupit.

Tv Klan