Ulja e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet siç thuhet në një raport të publikuar më parë nga ministri i Mjedisit Xhuveli, është konsideruar nga kreu i bashkisë së Tiranës Edi Rama, si meritë e bashkisë. Në një konferencë për shtyp Rama tha se rritja e sipërfaqeve të gjelbra ka ndikuar drejtpërdrejt në pastrimin e ajrit, duke theksuar gjithashtu se ndikim ka pasur edhe asfaltimi i mjaft rrugëve.

Edi Rama: “Qeveria u detyrua më në fund të pranonte dje përmirësimin e ndjeshëm të pastërtisë e cilësisë së ajrit në Tiranë. Tiranës gjatë këtyre viteve transformimi rrënjësor i janë shtuar 450 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbra, 19 mijë pemë dhe gjelbërim i ulët, 1 283 000 metra katrorë asfalt, 440 000 metra katrorë trotuare dhe këtë fundiviti do të mbjellim 6000 pemë të reja, 3500 brenda në qytet dhe 2500 në parkun e Liqenit, do të fusim 120 makineri pastrimi dhe do të shtojmë 400 punëtorë në pastrim.”

Duke kujtuar se objektivi i bashkisë është që në 2011 Tirana të jetë qyteti më i pastër, Rama deklaroi se ky premtim do të realizohej më parë. Kreu i bashkisë tha gjithashtu se janë rehabilituar 220 hektarë blloqe rehabilitimi ndërsa 160 hektarë të tjerë brenda lagjeve janë në proces rehabilitimi./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Klodian Keçi