Deputetët që kanë më shumë se një mandat nuk do të jenë në vende të sigurta në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 2025.

Nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama e tha prerazi se në listën e mbyllur do jenë vetëm të rinjtë, duke përjashtuar edhe veten e tij.

Ekipin me të cilin synon të marrë mandatin e katërt qeverisës tha se do e ketë gati brenda 6 muajve, por të vetët i paralajmëroi se do duhet të punojnë si ditën e parë të përfshirjes në politikë.

“Deputetëve tanë u them se cilido që dëshiron një mandat tjetër, e ka në dorë ta marrë duke punuar më shumë se ne tre vitet e marra së bashku”.

E teksa e diela shënoi për socialistët ndezjen e motorrëve për betejën elektorale të radhës, kundërshtarët Rama i etiketoi humbës përsëritës, duke ironizuar ekipin e Sali Berishës.

“Fund e krye humbësa kronikë, njëri më i rraskapitur se tjetri, të njëjtët që nxorrën sa e sa herë|Lulin e shkretë e tani do e vulosin fitoren në kat të 8 e pastaj thone nuk fitohet ndaj diktaturës së Ramës”.

Kundërshtarit i foli me shifra teksa i kujtoi se e pret i njëti rezultat si ai në vititn 1997, zgjehdhdje në të cilën demokratët morën vetëm 25 mandate deputetësh.

“Në zgjedhjet e ardhshme, PD-ja zor se do marrë më shumë mandate se në vitin 1997. Mbajeni shënim. I vetmi ndryshim është se atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti. Këtë herë humnera është destinacion ekskluziv i vetëm asaj partie. Një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e gjatë përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama nuk foli vetëm për çështje organizative por u ndal edhe tek aksioni politik si dhe reformat e qeverisë së tij.

Opozitës i kujtoi se nuk ka ndërmend të zbrapset nga projekti antikorrupsion.

“Ky projekt do të shkojë deri në fund nën drejtimin e kolegut Fatmir Xhafa pavarësisht nëse do të duan apo nuk do të duan ata që deri tani nuk duan. Do të bëhet publik së shpejti edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente që do shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarjet tona në çdo nivel”.

Poshtë hodhi edhe akuzat për ngjarjen e Pogradecit.

“Qasja e tyre për ngjarjen në Pogradec është një shembull i freskët domethënës për të ilustruar se kush janë ata të gjithë bashkë. Në politikë e në media u mobilizuan për ta manipulojnë dhe mobilizojnë vrasjen e një djali të ri si një dozë helmi për të nxitur urrejtje ndaj nesh. Me shpejtësinë marramendëse të gënjeshtrës për të marrë dhen,  u prodhua një film i kronikës së zezë, ku u mblodhën bashkë të gjitha të këqijat e mundshme. Ndërsa komunikata e qartë e Policisë të qarkut Korçë në rastin më të mirë u hodh në cepat e lajmeve dhe të opinioneve mediatike, të cilat i dominoi fantazia kriminale e gënjeshtarëve dhe gjuha ekstremiste e spekulantëve politikë dhe mekanikë”.

Rritja ekonomike dhe veçanërisht ajo e pensioneve tha se janë sfidë për qeverinë e tij. Por realizmi i kësaj të fundit sipas Kryeministrit kërkon ndëshkimin e fenomenit të fshehjes nga sipërmarrësit të pagave reale, që  godasin të ardhurat për sigurimet shoqerore, duke vjedhur atë ç’ka i takon kësaj shtrese.

“Ne do bëjmë me kuotat e sigurimeve shoqërore atë që bëmë me energjinë dhe ata që nuk i paguajnë punonjësit sipas pages do t’i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”.

Në mbledhjen e Asamblesë, Kryeministri propozoi edhe emrat që do të votohen për Kryesinë e re të Partisë Socialiste, ku spikasin 7 gra e 7 burra, nga të cilët do të zgjidhen vetëm 10 anëtarë.


KANDIDATET GRA PËR KRYESINË E RE TË PS

Albana Koçiu

Anila Denaj

Delina Ibrahimaj

Etilda Gjonaj

Klotilda Bushka

Klodiana Spahiu

Lindita Nikolla


KANDIDATËT BURRA PËR KRYESINË E RE TË PS

Arben Pëllumbi

Erjon Braçe

Eduard Shalsi

Igli Hasani

Vangjel Tavo

Pirro Vëngu

Toni Gogu


Tv Klan