Kryetari socialist Edi Rama ka vijuar takimet e tij si pjesë e turit “Dialog më Shqipërinë”, duke u ndalur në fshatrat e komunës Hajmel në Shkodër. Gjatë bashkëbisedimit të tij me banorët e fshatit Paçram, Rama është ndalur tek problemet që shoqërojnë jetën e tyre të përditshme, duke filluar nga mungesa e punësimit si pasojë e punëve të pakta në bujqësi si dhe rritja e çmimeve për mallrat e konsumit të përditshëm.

Edi Rama: “Unë besoj se gjendja e sotme në këtë zonë, në këtë rajon të Shqipërisë ku janë 50% e tokave të punueshme djerrë, nuk është pasqyrë  e aftësive dhe e vullnetit të njerëzve. Është pasqyrë e një politike të vjetër që i ka braktisur njerëzit në fatin e tyre.”

Gjatë qëndrimit të tij në fshatin Dajç Rama ka ftuar banorët që të bëhen më pjesëmarrës në vendimmarrjen politike. E për të shtuar në këtë mënyrë presionin ndaj politikës, me qëllim që të bëhet i mundur ndryshimi i pritur kaq gjatë në këto 17 vite./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama