Ylber Ramadani e ka të vështirë që të gjejë fjalët për ndjesinë që i jep të qenit pjesë e Euro 2024.

Në konferencën për shtyp nga Kameni në Gjermani, mesfushori kuqezi flet për konkurrencën në mesfushë si edhe për sfidën e parë të Europianit kundër Italisë.

28-vjeçari e bën të qartë se ndaj “të kaltërve”, kampionëve në fuqi të Europës, do të luhet për pikë.

Ylber Ramadani: Kur zbritëm nga avioni ishte një pritje fantastike si nga jashtë avionit dhe këtu para hotelit dhe është një ndjenjë fantastike. Konkurrenca bën mir çdo ekip jo vetëm në kombëtare. Këtu jemi të gjithë gati. Duhet të jemi 100% në maksimum. Është një ndeshje shumë e veçantë sepse luajmë kundër kampionëve Europian, por ne duhet të shkojmë në fushë dhe të bëjmë maksimumin dhe të luftojmë për çdo pikë.

Ramadani shprehet se do të japë gjithçka në fushë për fanellën. Ai analizon edhe fitoret e dy rivaleve të tjera të grupit, Spanjës dhe Kroacisë në miqësoret e së shtunës.

Ylber Ramadani: Spanja dhe Kroacia janë ekipe shumë të forta, por i kemi parë këtu pas darkës dhe i shikonim si luanin, por siç e thashë edhe më parë ne duhet të futemi në çdo ndeshja për të marrë maksimumin. Gjithmonë më ka pëlqyer kjo kur nuk na kanë vlerësuar sepse kjo të motivon edhe më shumë sepse në heshtje mund t’i thuash të gjitha.

Mesfushori mendon se nisur nga fakti që një pjesë e kuqezinjve luajnë në Itali, kjo do t’i ndihmojë, pasi ata njohin taktikisht se si luan çdo futbollist i të kaltërve.

Trajneri Silvinjo ka vendosur që të lë në pushim të dielën lojtarët. Nga e hëna, kombëtarja kuqezi do të vijojë normalisht seancat stërvitore për të qenë gati për sfidat e Euro 2024, që do të transmetohen eksluzivisht në televizionin Klan.

Klan News