I preferuar për rërën kurative, ujin i pastër dhe pamjen e rrallë “Rana e Hedhun” në Shëngjin, edhe këtë vit mbetet në top listën e plazheve më të kërkuara të Lezhës.

Resortet në këtë zonë po punojnë me kapacitet të plotë, ndërsa prenotimet vijojnë edhe për muajin shtator.

Ildis Arrnjeti, operator turistik: Vitet e tjera kanë vërtetuar që edhe në muajin Shtator kemi qenë, ndërsa për Gushtin dhe Korrik nuk diskutohet që jemi absolutisht me kapacitet të plotë. Patjetër që turistët kosovarë nuk kanë munguar si çdo vit tjetër, por këtë vit kemi pasur rritje të ndjeshme të turistëve edhe nga vendet nordike, edhe nga vendet perëndimore, nga Gjermania, Polonia dhe vende të ndryshme të botës.

Pushuesit kanë kureshtje ndaj zonës në përgjithësi, të cilën e vlerësojnë maksimalisht për atë çfarë ofron.

“Vend shumë i mirë, uji është shumë i pastër. Pastërtinë e vlerësojmë shumë, për hotelin s’kemi se çfarë të flasim. Çmimet janë në rregull,” tha një pushues.

“Shumë mirë, uji është shumë i pastër dhe plazhin këtu e mbajnë shumë mirë. Është në fakt hera e parë këtu, jemi qenë pak më poshtë andej nga ana e qendrës, ama këtu është hera e parë,” tha një pushuese tjetër.

“Shumë bukur, shumë mirë, është një vend i qetë. Pastërtia është shumë mirë dhe çmimet janë mirë, nuk janë të këqia përshtaten,” tha një tjetër.    

 ‘Rana e Hedhun’ është një oaz i bukur i zbuluar vitet e fundit, ku një vëmendje të veçante po merr edhe nga të huajt.

“Vend shumë komod dhe mbi të gjitha është i qetë dhe pa zhurma. Këtu do të qëndroj 2 javë,” tha një turiste.

Në 3 kilometra vijë bregdetare, plazhi i Ranës së Hedhun është atraksioni më i madh turistik edhe e kësaj vere.

Klan News