Shqipëria vazhdon të ruajë qëndrueshmërinë e saj makroekonomike, pavarësisht tre goditjeve të njëpasnjëshme siç ishin tërmeti i vitit 2019, pandemia dhe ndikimet ekonomike nga lufta në Ukrainë.

Këto bëhen të ditura nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin më të fundit për klimën e investimeve. DASH thekson se pavarësisht sfidave, Shqipëria ka një klimë të favorshme biznesi dhe investimesh.

“Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të shëndoshë dhe ka bërë përparim në kufizimin e korrupsionit në nivel të ulët, duke digjitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Megjithatë emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar vakum të fuqisë punëtore që ndikon në perspektivat e investimeve.”

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e fundit nënvizon se Reforma në Drejtësi ka luftuar korrupsionin dhe paligjshmërinë.

“Shqipëria ndërmori Reformën në Drejtësi për të luftuar korrupsionin sistemik duke bërë që vendi të ketë organe funksionale dhe të pavarura kundër korrupsionit, duke përfshirë Zyrën e Prokurorisë së Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si pjesë e SPAK. Reforma në Drejtësi mbështetet shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe zbatimi është në vazhdim, me pritshmëri që suksesi i saj të përmirësojë përfundimisht klimën e investimeve në Shqipëri.”

Por pavarësisht indikatorëve pozitivë, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se Shqipëria duhet të bëjë kujdes me fenomenin e pastrimit të parave dhe të ardhurat e paligjshme. DASH u ndal edhe tek Kosova, ku vuri në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja.

Klan News