I shtyrë nga një kompleks i krijuar së fundi për të treguar veten sa më të paanshëm presidenti i republikës vendosi të dekorojë dy ish-punonjs të SHIK-ut që humbën jetën natën e njëzet e tetë marsit të vitit nëntëdhjetë e shtatë gjatë trazirave në Vlorë. I ndërmarrë në një kohë kur presidenti Moisiu është vendosur nën shënjestrën e sulmeve të opozitës, ky dekorim më shumë se një akt respekti për institucionet shtetërore shëmbëlleu me një tentativë të kreut të shtetit për ta rivendosur veten pranë opozitës. I gjendur nën akuzat e opozitës se është kompromentuar nga kryeministri, se po i shërben qeverisë, se nuk është më konsensual dhe garant i zgjedhjeve të lira, Moisiu duket sikur e ndërmori këtë akt për të marrë me të mirë akuzuesit, një qëndrim ky i përsëritur dhe herë të tjera dhe për pasojë mesazhi i dekorimit në vënd që të kishte një efekt pozitiv ngjau si një taktikë naive që mund të vërë përsëri në pozitë të vështirë kreun e shtetit. Më shumë se një mesazh për të mbyllur të kaluarën ai duket se do të rihapë edhe njëherë debatet e vjetra. Shenjën e parë e dha gazeta e partisë socialiste e cila me gërma të mëdha sulmoi presidencën si një institucion me shpenzime shumë të mëdha në një kohë që vëndi jeton në varfëri, sulm indirekt ky i “Zërit të Popullit”, por që nëntekstin e ka fare të qartë. Presidenti gjendet përsëri në pozitë të vështirë. /tvklan.al