Zhvendosja e kryqit që ngrihet fare pranë rrugës nacionale Tiranë-Elbasan është kundërshtuar ashpër nga kisha ortodokse e këtij qyteti. Prifti i kësaj kishe At Stavri, i cili gjendej sot në Tiranë, në Selinë e Kishës Ortodokse tha se komuna nuk ka marrë aspak miratimin e besimtarëve ortodoksë për zhvendosjen e kryqit.

At Stavri: “Kur u mblodhëm ne të dy komunitetet, myslimane dhe ortodokse, kryetari i komunës zoti Sabri Sallaku na njoftoi që ka marrë vendim nga ana e komunës që kryqi të hiqet nga vendi ku është dhe në vend të tij të miratojë një kishë. Unë e kundërshtova, por ai nuk pranoi kundërshtime dhe duke diskutuar me njëri-tjetrin, ne e kundërshtuam dhe nuk e kemi miratuar heqjen e kryqit.”

Kisha ortodokse pretendon se në këtë mënyrë po shkelet vendimi i mëparshëm për dhëninen e lejes pr ndërtimine një kishe të re në vendin ku aktualisht ndodhet kryqi.

At Stavri: “Vendosja e këtij kryqi është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të komunës edhe me miratim të prefektit të qarkut të Elbasanit. Pra është kryer në bazë të të gjithë rregullave dhe nuk e shikojmë të saktë që të merret një vendim tjetër i dytë për ta hequr, sepse ka pasur presione nga komuniteti mysliman ose nga dikush tjetër.”

Ne jemi në pritje të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e saj, janë shprehur autoritetet në Selinë e Kishës Ortodokse. Ata kanë pohuar se pasi të njihen me shkresën zyrtare me vendimin për zhvendosjen e kryqit do t’i drejtohen me një ankim gjykatës. Debati për kryqin buzë rrugës nacionale lindi pas reagimit të komunitetit mysliman të disa fshatrave përreth kësaj zone. Sipas tyre vendosja e kryqit përbënte një akt provokues. /tvklan.al