Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ndodhemi në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Aty po bëhet luftë mes guerilasve shqiptarë dhe forcave maqedonase. Ndërkohë vendkalimet Bllacë dhe Jazhinc, në kufirin Maqedoni-Kosovë, do të mbyllen për çdo lloj komunikimi. Ky është vendimi më i fundit i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, në vijim të situatës së tensionuar në kufi.   

Ndërkaq në një incident tjetër, një karvan i policisë maqedonase është sulmuar nga guerilasit shqiptarë. Karvani u detyrua të tërhiqet nga zona malore dhe të kthehet në kryeqytetin maqedonas Shkup. Në planin diplomatik, Ministri i Jashtëm Maqedonas, Zgan Kerin, ka shkuar në Bruksel ku është takuar me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ai i ka kërkuar NATO-s të dislokojë trupa përgjatë kufirit të Maqedonisë me Kosovën.

Ndërsa Beogradi, ka kërkuar nga NATO e shtete të tjera të izolojë guerilasit shqiptarë në Kosovë. Kryeministri serb Zoran Gjingjiç, e bëri këtë deklaratë në Berlin, ku u takua me kancelarin gjerman Gerhard Shrëder dhe Ministrin e Jashtëm Joshka Fisher. Sipas tij, përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës janë penguar./tvklan.al