Gaqo Apostoli: “Jemi në tribunë dhe unë dua t’i përmend të gjitha ato që janë pjesë e lojës politike. Mund të bësh replikë pastaj.”

Skënder Gjinushi: “Ka mundësi të flasësh sa më shkurt?”

Gaqo Apostoli: “Unë them ato që ndiej. Në qoftë se ka një limit, jam gati duke përfunduar, por s’ka problem. Politika ka shkallë të lartë moraliteti, por sërish bazohet dhe kthehet te morali. Ne do të dalim nga kjo konferencë dhe do të ndodhin sërish gjëra të tjera, por këtu kur të diskutojmë t’i referohemi të paktën moralit politik, të paktën në fjalët që themi që diçka të reflektojmë.”

Skënder Gjinushi: “Që të flasim për rreziqet e fenomenet negative, përflitet konkretisht a janë ato, ku ekzistojnë dhe kush i kultivon dhe kur del dhe thua, siç e the dhe këtu që jam kundër servilizmit, parazitizmit që rrezikojnë njëshin apo njëshat, do të thotë që unë nuk di të mbrohem dhe shyqyr që të kam ty që më hap sytë! Dhe atëherë kam thënë unë, Zot na ruaj nga servilat si Gaqua! Faleminderit!”

Kjo frymë mbizotëroi në konferencën e 10-të të degës së Tiranës të Partisë Socialdemokrate. Replikat ishin të ashpra midis kreut të PSD-së Gjinushi dhe nënkryetarit Apostoli, kandidat për postin e kryetarit në kongresin e 14-të dhe 15-të nëntorit. Sipas Gjinushit, nga puna e bërë nga strukturat e brendshme, PSD radhitet tashmë e treta ndër forcat politike në vend.

Ai analizoi edhe rolin e partisë në koalicionin qeverisës. Ka ikur klima e ftohtë midis Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate, tha Gjinushi. Partia jonë ka treguar konsekuencë në mbrojtjen e së majtës. Në konferencën e 10 të degës së Tiranës u zgjodh në postin e kryetarit i vetmi kandidat Petraq Simo, u zgjodh këshilli si dhe forumet drejtuese./tvklan.al