Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës dhe paradites kanë përmbytur rrugët kryesore e dytësore në pjesën më të madhe të qytetit të Durrësit.

Më alarmante situata është paraqitur paradite në periferi, kryesisht në lagjet, 13,14, 17 dhe 18 rrugë e trotuare të pakalueshme siç shihet edhe nga këto pamje.

Për disa orë trafiku është bllokuar në akset kryesore, ndërkohë që uji ka depërtuar dhe në disa apartamente në katet e para të pallateve si pasojë e bllokimit të kanaleve kullues apo mungesës së tyre jo në pak raste.

Moti i keq që ka përfshirë vendin prej disa ditësh ka sjellë pasoja dhe në portin detar të këtij qyteti.

Për shkak të erës së fortë dhe fuqisë së madhe të dallgëve puna është pezulluar në të gjithë sektorët.

Drejtues të kapitanerisë së portit pohojnë se dhe tragetet e pasagjerëve kanë hasur vështirësi në lundrim dhe janë ankoruar me vonesë./tvklan.al