32 deputetë shqiptarë në parlamentin e ri

Pasi Gjykata Administrative hodhi poshtë të gjitha ankesat e partive politike, KSHZ shpalli rezultatet zyrtare dhe mbylli procesin zgjedhor. LSDM dhe BDI kishin dërguar përfaqësues ligjor që të merrnin certifikatat.

Sekretari i Përgjithshëm i VMROD-DPMNE-së Igor Janushev tha se nuk vihet në pikëpyetje uniteti i grupit parlamentar, kjo pas një akuze të drejtpërdrejtë që erdhi nga lideri i partisë E Majta, se për momentin LSDM-ja po përpiqet të blejë 5 deputetë.

“Këto informata vijnë nga një vend, ndaj nuk besoj se vlejnë që të komentohen nga unë”.

Janushev nuk ka dashur të përgjigjet nëse do të votojë për kryeministrin shqiptar, duke e quajtur provokim pyetjen e parashtruar.Por, partneri i tyre serb në koalicion, thotë se nuk kanë paragjykime për përkatësinë etnike të kryeministrit.

“Ne si parti dhe unë personalisht nuk kemi asnjë paragjykim ndaj asgjë në Republikën e Maqedonisë dhe në këtë mënyrë, kur nuk keni paragjykime ndaj përkatësisë etnike vendoseni për politika. Nëse bëhet fjalë për politika që duhet të përcaktohemi, atëherë do të flasim”.

Në bazë të rezultateve zyrtare të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, LSDM ka fituar 46 ulëse në Kuvend, VMRO DPMNE-44, BDI-15, Koalicioni Aleanca me Alternativën-12, E Majta-2 dhe PDSH-1 ulëse.

Gjatë këtij mandati katërvjeçar, shqiptarët do të përfaqësohen me gjithsej 32 deputetë shqiptarë nëpër parti dhe koalicione të ndryshme.

Tv Klan