Qeveria: Janë kthyer 4 burra, 5 gra dhe 14 fëmijë

Qeveria e RMV-së përmes një komunikate njofton se më 17 Korrik, në orët e vona të mbrëmjes, me sukses ka përfunduar procesi i riatdhesimit të shtetasve të RMV-së nga Siria dhe Iraku. Bëhet fjalë për katër burra, pesë gra dhe 14 fëmijë. Siç thuhet në komunikatë, kundër katër luftëtarëve të huaj terrorist, për të cilët ka patur fletarresti ndërkombëtar, me dëshmitë paraprakisht të siguruara nga MPB-ja, Byroja për Siguri Publike dhe në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare, janë dorëzuar kallëzime adekuate penale konform ligjeve të vendit.

Gratë dhe fëmijët e kthyer, vullnetarisht do t`i nënshtrohen një karantine 14-ditëshe shëndetësore dhe kontrolleve të domosdoshme shëndetësore, konform ligjit për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive. Gjatë periudhës së ardhshme, organet kompetente, do të punojnë për të siguruar dëshmi për pjesëmarrje të mundshme në veprime inkriminuese, për çdo rast veç e veç. Me përjashtimin e mundësisë për kyçjen e tyre në veprime që i nënshtrohen përgjegjësisë juridiko-ndëshkuese, duke respektuar plotësisht parimin e vullnetit të lirë, do të fillojë procesi i rehabilitimit të tyre, risocializimit dhe riintegrimit në shoqëri.

RMV-ja, thuhet në komunikatë, si anëtare e NATO-s dhe koalicionit global për luftë kundër ISIS-it, në bashkëpunim me partnerin strategjik SHBA-të, mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve më të larta në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, me qëllim të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në nivelin më të lartë për qytetarët e vendit tonë dhe më gjerë në rajon, thuhet në komunikatën e Qeverisë së RMV-së. 

Klan Macedonia