Mbi 1 milionë pasagjerë kanë hyrë në Shqipëri gjatë muajit Korrik vetëm nga aeroporti Nënë Tereza në Rinas. Të dhënat u bënë të ditura nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë teksa bën dhe një krahasim, shkruan se gjatë muajit të shkuar, erdhën pasagjer sa i gjithë viti 2013.

Turistët që vizituan vendin tonë, u larguan me përshtypjet më të mira, dhe me premtimin se do kthehen sërish.

“Kam në plan të kthehem që ç’ke me të, ishte një eksperiencë magjepsëse. Kisha udhëtuar edhe më parë në Evropën Lindore dhe pak a shumë e dija çfarë do gjeja, por u befasova nga shumë gjëra se sa miqësorë janë shqiptarët dhe sa mikpritës. Është një vend i mrekullueshëm dhe entuziazmues për tu vizituar. Pak si shumë nxehtë për anglezët por nuk ankohem dot, e përballuam. Do të kthehem në Vlorë, ku qëndruam dhe patjetër që do të kthehem në Tiranë ta eksploroj si duhet, kur të mos jetë kaq nxehtë,” tha një turist.

“Po, po në Himarë. Ishte mahnitëse, uji është kaq i pastër ishte më i mirë edhe se në Greqi,” u shpreh një turiste tjetër.

Kishte edhe nga ata që kaluan tre javë duke eksploruar bukuritë që Shqipëria të ofron.

“Isha në jug, e në veri, kalova 21 ditë duke udhëtuar në mbarë vendin, kështu që kam parë shumë. Veriu, Lugina e Valbonës, pastaj ngjitja në shtegun nga Valbona në Theth ishte shumë e bukur, vërtetë. Ishte e vështirë, po shumë e bukur. Edhe plazhi më pëlqeu, ishim në Jalë, që është shumë i vogël kështu që ishte mirë, shumë këndshëm dhe jo me shumë njerëz. Lundruam me kanoe, me kajak. Ishte vërtetë mirë. Është vërtetë shumë bukur, vend shumë i bukur,” shtoi një turiste.

“Kaluam tre javë duke udhëtuar për poshtë lumit Vjosa nga Greqia në Shqipëri. Udhëtuam me kajak, qëndruam me kamping në anë të lumit duke gatuar e notuar. Po ishte argëtuese,” tha një tjetër.

Gjatë këtij viti është vendosur edhe një rekord i ri për hyrjet në një ditë, me plot 44 mijë pasagjerë. Në 24 orë janë regjistruar 252 fluturime, duke qëndruar në krye të klasifikimit me vitet paraardhëse. Nga statistikat aeroporti “Nënë Tereza” ka spostuar në vend të dytë aeroportin e Beogradit.

Klan News