Fluksi i emigrantëve shqiptarë që kthehen nga vendet fqinjë dy ditët e fundit është rritur mjaft. Vetëm në Portin e Durrësit janë regjistruar mbi 40 mijë emigrantë që kanë ardhur në Shqipëri për festat e fundvitit. Ndërkohë midis fluksit të madh të makinave dhe njerëzve, rreth 8 mijë vetë janë drejtuar trageteve për t’u larguar nga Shqipëria në drejtim të Italisë apo vendeve të tjera në Perëndim. Vetëm dje dhe sot, fluksi ka arritur në 5 mijë vetë në ditë i cili parashikohet të rritet në ditët në vazhdim.

Por, dhe në disa nga qytetet e jugut, emigrantë që festuan Vitin e Ri në vendin tonë, i janë drejtuar agjensive për t’u rikthyer në Greqi. Në pikën doganore të Kapshticës dhjetëra autobusë lënë kufirin shqiptar në drejtim të tokës helene. Dy ditët e para të Vitit të Ri, kthimi i emigrantëve drejt Greqisë ishte i vogël, ndërsa dje dhe sot numri është rritur. Një pjesë e mirë e familjeve largohen nga Shqipëria me autobus, ndërsa pjesa tjetër me autovetura.

2000 vetë në ditë janë regjistruar në pikën doganore të Kapshticës që udhëtojnë drejt Greqisë. Largimi i emigrantëve është ndjerë dhe në qytetin e Fierit. Nëpërmjet agjensisë së udhëtarëve, këtu janë regjistruar dhe qindra qytetarë nga Berati, Lushnja dhe Vlora që kanë prerë biletat për t’iu rikthyer punës në Greqi. Shumica e udhëtarëve ka vite që janë emigrantë dhe të punësuar në vendin helen, po që tradita e ditës së ndërrimit të viteve, e festojnë pranë familjeve të tyre./tvklan.al