Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gazetari Ardi Pulaj:- “Për të diskutuar sonte zhvillimet në Parlamentin Shqiptar, ne kemi të ftuar në studion e lajmeve të TV Klan, analistin Andi Bushati. Mirëmbrëma Andi! Përpara se të diskutojmë pjesën politike, le të flasim pak për këtë të fundit, përjashtimi i medias nga seanca parlamentare, ose më saktë, votimi fshehurazi. Atëherë, a mund të konsiderohet ky një atentat ndaj fjalës së lirë?

Andi Bushati:- “Ajo që ka ndodhur është e rëndë, por është më e gjerë se kaq, pra ka përmasa më të mëdha sesa atentati ndaj fjalës së lirë, për të cilin ju diskutoni dhe mendimi im është që gjithë ajo që ndodhi, nuk përmblidhet vetëm tek kjo mostransparencë e fjalës së lirë, por ka të bëjë me diçka më shumë, sepse sot ne kishim një situatë të mbarsur, kishim tentativat e herë pas hershme të opozitës, për të hapur një komision, për të bërë transparencë për punën e kryetarit të bashkisë. Kishim gjithashtu një moment, që më tepër se institucional është një moment moral dhe i cili duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Është ndërhyrja në këtë rrokopujë, e Presidentit të Republikës, i cili i bën thirrje palëve, jo vetëm për të gjetur kompromis, por nënteksti i këtij mesazhi është i qartë, që nuk duhet të ketë njerëz, të pakontrollueshëm në këtë vend, qofshin këta të pozitës dhe në këtë situatë të mbarsur, të ndërmarrësh një hap të tillë, të bësh një votim klandestinë, unë di vetëm nga informacionet, që po japin deputetët socialistë që ka pasur një votim, sepse sot, nuk ka asnjë nga 3 milion shqiptarët, që të ketë parë që në atë sallë, ku ata kanë çuar njerëzit me votën e tyre, të ketë pasur një votim. Për mua është një votim klandestinë dhe faturën e këtij votimi do ta kenë ata që e kryen një gjë të tillë”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Ndërkohë sot mahoranca ka mbajtur një qëndrim të ngurtë ndaj tërheqjes së opozitës, qoftë edhe për riformulimin e komisionit hetimor. Cilat mund të jenë arsyet e këtij qëndrimi?

Andi Bushati:- “Unë nuk do të tentoja të futesha në këtë pikë, për faktin e thjeshtë sepse, të gjitha palët, me aq sa ndoqëm ne Parlamentin, i kishin argumentet e tyre juridike. Pra njëra palë pretendonte, që duhet të vazhdohet procedura e parë, pra kishim një procedurë, që Parlamenti po e diskutonte prej disa ditësh dhe duhej t’i shkohej deri në fund asaj, ndërsa opozita tentonte të fuste një formulim të ri, nisur edhe nga dy faktorë kryesorë. Në radhë të parë nga ideja e ndërhyrjes së Presidentit të Republikës dhe në radhë të dytë, për faktin se kjo lëvizje e PD dhe e zotit Berisha tashmë kishte kapur një spektër më të gjerë dhe ishte bërë një lëvizje e mbarë opozitës parlamentare. Për këto dy gjëra dhe me tentativën për të gjetur një kompromis, opozita kishte futur këtë variant të dytë në skenë, i cili nuk u desh të përfillej nga socialistët dhe këtu është pika e madhe e dyshimit. Pra a kemi të bëjmë me një bonsens të PS, për të hapur hetime jo vetëm për kryetarin e bashkisë, zotin Rama, por edhe hetime të paralajmëruar nga zoti Berisha. Në një vend, ku projektorët anti-korrupsion të të gjithë botës, janë angazhuar për të parë edhe gjënë më minimale, fakti që mazhoranca nuk pranon në parim hetimin e njerëzve të saj apo njerëzve të përkrahur prej saj, për mua është një mëkat që nuk di se ç’përgjigje mund të marri”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Lideri i opozitës Berisha ka deklaruar më parë, se opozita i fton në dialog votuesit shqiptarë që të mbrojnë Kushtetutën, me të gjitha mjetet legjitime. Ju çfarë mendoni se do të thotë kjo? A mos vallë situata politike është kthyer në vitet ’99?

Andi Bushati:- “Që situata politike është tensionuar ndjeshëm, kjo duket qartë, ajo që cituat ju, pra deklarata e zotit Berisha, për mua nuk është se ka ndonjë domethënie të madhe. Në qoftë se flitet për protesta me të gjitha mjetet institucionale është gjë normale dhe opozita atë duhet të bëjë, nëse flitet për diçka tjetër atëherë duhet të kapim nuancat dhe pastaj të bëjmë komentin. Por fakti i atyre pamjeve, që operatorët tuaj kishin kapur, tregon se kemi një acarim të skenës politike dhe unë mendojë, se kemi një kontradiktë të madhe, në një periudhë 6-7 mujore brenda një mazhorance të mishëruar edhe tek lideri i saj, sepse nëse në fillim të mandatit të kësaj qeverie të kryesuar nga lideri i socialistëve Fatos Nano, kishte tentativa të pamundura për të qetësuar dhe për të bërë gjithçka për të ulur opozitën, sot ne ato na rezultojnë që paskan qenë thjeshtë propagandë ose fasadë. Pamjet që pamë sot, arroganca me të cilën u sollën sot socialistët, tregon se pse ata asnjëherë nuk kanë qenë për një marrëdhënie partneriteti me opozitën, por kanë qenë më tepër për një filozofi “kalova lumin, pastash shohim ç’bëjmë me kalin” dhe një filozofi e tillë do të japi edhe këto rezultate që pamë ne sot”.

Gazetari Ardi Pulaj:- Zoti Bushati ju faleminderit për komentet tuaja, këtu në studion e lajmeve të TV Klan./tvklan.al