Aida Baro – Kryeredaktorja e botimeve ‘Pegi’

Orjola Pampuri – Psikologe

Zhaklin Lekatari – Gazetare dhe blogere e blogut ‘Tabu.al’,

Petri Bozo – Regjisor.

Një nga fenomenet më të diskutuara dhe që prek jo pak marrëdhënie mes njerëzve është ajo e tradhtisë. Tradhtia, shpesh e konsideruar si mëkat, nga të tjerë ndoshta dhe e falshme apo rastësore, ndodh për arsye të ndryshme. Një tradhti mund të jetë emocionale, shpirtërore, mishtore apo momentale, pra jo e përsëritur, e megjithatë ajo në të gjitha rastet konsiderohet po njësoj. Së fundi vjen në shqip i botuar një libër këshillues me titull ‘As të parët, as të fundit’, e autores Esther Perel, psikologe dhe autore e librave të shumëshitur, e cila njihet sot si zë me ndikim në fushën e marrëdhënieve dhe të lidhjeve moderne.

Për të zbuluar më shumë rreth këtij libri dhe për të folur më shumë rreth këndvështrimeve të ndryshme njerëzore dhe psikologjike rreth fenomenit të tradhtisë, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, kryeredaktorja e botimeve ‘Pegi’ Aida Baro, psikologja Orjola Pampuri, Zhaklin Lekatari gazetare dhe Petri Bozo, regjisor. Gjatë emisionit të ftuarit ndanë po ashtu edhe mendimin e tyre rreth konceptit të tradhtisë.

“Tradhtia ka qenë gjithnjë e pranishme në jetën e njerëzve. Konotacioni që ne kemi marrë prej vitesh me rritjen dhe formimin tonë e bën tradhtinë një nga gjestet më të rënda që mund t’i bëhet një njeriu. Perel në këtë libër e shikon në të gjitha këndvështrimet tradhtinë. Ai i shkon deri në rrënjë shkaqeve dhe nuk e lë pa “diagnostikuar sëmundjen”. Normalisht ne nuk tradhtojmë sepse duam të lëndojmë tjetrin, por duam të arrijmë një përmbushje të vetes”, tha Baro.

“Ky fenomen në Shqipëri ka agravuar, këtu kanë mbaruar parimet. Duke iu referuar realitetit ku jetojmë, ne shohim çudira të jashtëzakonshme. Mendoj se në shkeljen e këtij principi është raporti i mos organizimit të familjes. Në një raport çifti që nuk janë afër të njëjtës punë apo të të njëjtit karakter ndodh ky deviacion. Shpesh meshkujt që kanë para dhe një marrëdhënie jo të shëndetshme në çift detyrohen të devijojnë dhe të kenë ato dashnoret që shohim lart e poshtë”, tha Bozo.

“Tradhtia ka lindur me njeriun. Edhe në Bibël, tradhtia si mëkat përmendet dy herë, edhe për të mos tradhtuar edhe kur mendon se do të tradhtosh. Perel edhe në libra edhe në shkrimet që bën e thotë gjithmonë që duhet t’i japim hapësirë tjetrit, duhet të kuptojmë dhe të komunikojmë me njëri-tjetrin. Nuk duhet të mundohemi të gjejmë një fajtor, por të kuptojmë shkaqet. Edhe nëse tradhtia ka ndodhur nuk është e thënë patjetër që duhet të ndahemi. Sot jetojmë në epokë ku është shumë i rëndësishëm individualizmi, është e rëndësishme të jemi të lumtur”, tha Lekatari.

“Përtej aspektit profesional, unë si njeri nuk e përtyp dot tradhtinë dhe nuk e fal. Tradhtia ndodh për shumë arsye. Ne rritemi me dy parime të rëndësishme, është egoja që është parim i realitetit dhe superegoja që është parim i moralit. Të dyja këto formojnë personalitetin dhe na rrisin vetëkontrollin. Dhe të gjithë ne kur kemi një krizë themi si nuk arrita të kem dikë tjetër që të ndihem më mirë, por është vetëkontrolli që na instrukton dhe na thotë që kemi mundësi të përmirësojmë situatën. Në momentin që t’i tradhton nuk mendoj se ka më arsye që të ndash të njëjtin krevat me partnerin tënd”, tha Pampuri.

Nje fundjave ne qytetin e Elbasanit!