Të ftuar:

Holta Pilz – Bodybuilder

Jonida Tushe – Bodybuilder

Markel Sena – Bodybuilder

Pas 23 vitesh mungesë, Federata Shqiptare e Bodybuilding dhe Fitness organizoi në datën 4 Maj në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë, Kupën e Shqipërisë në Bodybiulding dhe Fitness. Në aktivitet morën pjesë 46 sportistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pjesëmarrja e djemve në këtë aktivitet ka qenë më e madhe krahasuar me atë të vajzave, interesi i së cilave sa vjen edhe po rritet.

Miss Fitness Bikini u shpall Jonida Tushe, ndërkohë Markel Sena u shpall kampion në kategorinë men’s physique 1.78, gjithashtu dhe kampion absolut në men’s physique. Të dy kampionët dhe modelja e Bodybilding, Holta Pilz, e cila këtë herë ka qenë edhe anëtare jurie, ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të treguar më shumë rreth këtij aktiviteti.

“Një nga arsyet se përse nuk është zhvilluar më ky kampionat që prej 1996-ës ka qenë edhe vështirësia e financimit. Por u mor një vendim nga Federata e Bodybuilding dhe Fitness që të bëhej Kupa e Shqipërisë. Kjo do të zhvillohet dy herë në vit për t’i dhënë mundësi sportistëve. Gjatë gjithë këtyre viteve është zhvilluar vetëm kampionati kombëtar ku mund të merrnin pjesë edhe shqiptarë të trevave të ndryshme. Propozimi për të qenë pjesë e jurisë më erdhi në mënyrë spontane. Në përgjithësi janë meshkujt ata që vlerësojnë në këtë sport, por u ndjeva shumë mirë sepse përveç aspektit profesional një femër vlerëson edhe mënyrën se si prezantohesh apo komponentë të tjerë.

Këtë vit ka pasur pjesëmarrje më të madhe vajzash dhe kjo tregon që në këtë sport po angazhohen gjithnjë e më shumë vajza. Kategoritë në të cilat konkurruan pjesëmarrësit nuk ishin të shumta sepse ndahen sipas gjatësisë, peshës. Ndërsa për vajzat kategoritë janë në bazë të moshës. Në kategorinë Bodybuilding femra nuk kishte, ishin të kategorive Bikini dhe Fittnes që tregojnë një trup të formuar”, tha Holta Pilz.

“Unë për herë të parë kam marrë pjesë në 2016-ën, mora vendin e parë në kategorinë time. Në vitin 2017-të mora vendin e dytë dhe këtë vit kam dalë fitues në kategorinë time, gjithashtu edhe absolut që është çmimi më i madh. Unë kam 8 vite që stërvitem. Ishte dëshira e madhe për të arritur forma të mira, por informacioni ishte i pakët. Pa informacion është shumë e vështirë. Këtë fizik e kam arritur në 3 vitet e fundit pasi fillova të studioj dietat dhe programet. Çdo fizik ka dietën e vet. Duhet të jesh strik në dieta, ai është suksesi”, tha Markel Sena.

“Ishte hera e parë që mora pjesë, për mua ishte emocion i madh, por eksperiencë e bukur. Është një sport që nuk të formon trup të ekzagjeruar, por forma jo të ekzagjeruara”, tha Jonida Tushe.

Ardita Mullai – Moderatore

Dikur e kemi parë në programet televizive në Radio Televizionin Shqiptar. E njohur si vajza me kaçurrela ngjyrë të verdhë që dilte në programet e të vetmit televizion në vitin 1992, Ardita Mullai krijoi ndër vite një profil shumëdimensional.

Ndonëse mbaroi shkollën për aktrim në Universitetin e Arteve, ajo kishte një pasion të madh për televizionin. E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ajo kujtoi karrierën e saj në botën e televizionit.

“Kujtoj me shumë nostalgji 5 vitet e para të punës time. Të them të drejtën fillimi ka qenë shumë i vështirë. Ka qenë një mikesha ime Luli Pjetri ajo që më mori dhe më prezantoi me Dhimitër Gjokën. Ai më vendosi përpara kamerës me një tekst dhe unë isha e ngurtë dhe katastrofë për të dhënë lajmet. Kam filluar pa asnjë lloj miku, provova dhe më pëlqyen. E kam nisur me radion, por kamerën e kam pasur gjithnjë qejf. Prezantoja programe, më angazhonte Dhimitër Gjoka edhe në dokumentare apo reklama në atë kohë. Në atë kohë ishte e vështirë të gjeje veshje dhe ne sajoheshim me veshjet tona dhe të të afërmve apo shoqeve. Televizioni ishte shumë më modest në gjëra dhe kur shikoje portretin tënd të kuruar mirë çorientoheshe. Por sot kanë ndryshuar gjërat”, tha Ardita.

Ajo gjithashtu foli edhe për shkëputjen nga televizioni. Mullai tregoi se gjatë studimeve për “dramë” nuk i lejohej të dilte në kamera.

“Unë kam pasur një shkëputje nga televizioni sepse fillova Akademinë e Arteve për “dramë” dhe kishte një rregull që nuk duhej të dilje në kamera sepse kamera të ftoh. Dhe unë u shkëputa nga ekrani”, tregoi ajo.

Por prej 1 muaji Ardita Mullai është rikthyer si prezantuese e një program në RTSH të titulluar “Ne”, i cili trajton tema sociale.

Enkeleida Ferrollari – Dietologe

Secili nga ne mund të ketë provuar të mbajë dietë, por kur bëhet fjalë për sheqerin nuk dimë se si ta shmangim dhe të mos konsumojmë në sasi të tepruar, ndonjëherë edhe pa e kuptuar.

Sheqeri nuk siguron ndonjë vlerë ushqyese dhe ushqimet me sheqer shpesh janë ushqimet me më shumë kalori. Rekomandohet kufizimi i sheqerit deri në 100 kalori në ditë për gratë dhe 150 kalori në ditë për burrat. Konsumi i lartë i sheqerit mund të çojë në një rrezik më të madh për zhvillimin e diabetit tip 2. Për të folur më shumë rreth kësaj teme ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan dietologia Enkeleda Ferrollari.

“Sheqeri është një nga ato ushqime që na jep shije, por asnjë lloj përbërësi ushqyes, na jep kalori boshe. Sheqeri konsiderohet si vrasësi i heshtur i trurit për shkak të dëmeve që na sjell në organizëm. Sasia e sheqerit e konsumuar mbi rekomandimet ditore sjell pasoja në organizëm, përveç obezitetit sjell rritje të yndyrnave në gjak”, tha Ferrollari.