Një nga politikanët më të njohur dhe më të vjetër në Shqipëri, Sabri Godo, ka reaguar në lidhje me disa arrestime dhe procedime të bujshme të filluara nga organi i akuzës. Për ndjekjet penale dhe burgosjet e biznesmenëve dhe personave të njohur publik, konisderuar kohët e fundit si një ‘gjueti shtrigash’, Godo ka cilësuar si një rast klasik ku prokuroria përdoret nga politika.

Sabri Godo: “Kjo nuk mirret vesh, se dikush arrestohet në darkë dhe lirohet të nesërmen dhe unë nuk e di se si mund të kemi një prokurori dhe organe gjyqësore që të mos ndjenjë ndonjë përgjegjësi dhe të vënë dorën mbi qytetarin dhe pastaj t’i kërkojnë ndjesë, t’i thonë na fal ose të thonë se nuk je për t’u gjykuar i burgosur po do të gjykohesh në gjendje të lirë; do të thotë që ato hapa që bën drejtësia nuk janë të bazuara. Nuk e kuptoj se si mund të merret një njeri nën hetim me akuzën ‘për tjetërsim pasurie’ dhe e dyta pastaj ‘për shpërdorim detyre’. Në këtë rast kjo është, nuk qëndron fare, e para njëherë tjetërsimi i pasurisë, çdo të thotë, unë kam të drejtë të ble një gjë dhjetë lek sot dhe ta shes një mijë lek nesër në qoftë se gjej treg ta bëj, për shpërdorim detyre e di gjithkush, cilido budalla, që mund të merret nën hetim vetëm një njeri që ka një detyrë publike, që është ngarkuar nga shteti, është nëpunës, me fjalë të tjera i cilido rang. Ai mund të ketë në dorë të shpërdorojë detyrën në favor të tij, po si shpërdoron detyrën, një le të themi qoftë edhe një afarist ose një njeri që merret me aktivitet e tija private. Deri më sot prokuroria nuk ka dhënë ndonjë spjegim për gjëra të tilla dhe me të vërtetë njerëzit kanë të drejtë edhe të habiten, po ndofta edhe të qeshin një çikë. Nuk besoj se është e prokurorisë kjo, është e diktuar puna, është tani se sa bëhet prokuroria instrument i tyre. Në sfond mua më duket se mbajnë erë politikë.” /tvklan.al