Sulmuesi shqiptar, Armando Sadiku do të ndryshojë skuadër në këtë merkato vere.

33-vjeçari do të largohet nga Mohun Bagan, por do të qëndrojë në kampionatin indian.

Futbollisti ka arritur marrëveshjen për tu transferuar te FC Goa. Pengesa e vetme, është Mohun Bagan, me të cilët Sadiku ka edhe një vit kontratë.

Te Goa, kanë mbyllur akordin me lojtarin, por po presin që ai të ndërpresë kontratën me skuadrën aktuale, për të dalë i lirë dhe të mos paguajnë për kartonin e tij.

Sipas asaj që raportohet nga India, gjithçka pritet të mbyllet në 24-48 orët e ardhshme, ndërsa më pas do të vijë edhe firma e Sadikut.

Sezonin e kaluar, shqiptari shënoi tetë gola dhe dha një asistim në 21 ndeshje të Superligës indiane. Ai gjithashtu shënoi një gol të rëndësishëm në finalen e Kupës, duke ndihmuar ekipin të fitojë trofeun. /tvklan.al