Zv/presidenti i komisionit evropian mbështet reformat e hedhura nga Shqipëria për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ky besim i është treguar kryeministrit Berisha gjatë takimit që ai ka zhvilluar me zotin Barrot gjatë pjesëmarrjes në forumin ekonomik botëror të Davosit.

Sali Berisha: “E njoha zv/presidentin e komisionit evropian, Barrot, me të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për arritjen e standardeve, kritereve të domosdoshme për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë dhe lëvizjen e tyre të lirë në hapësirën evropiane. Mora një vlerësim qartësisht pozitiv dhe mbështetës nga zv/presidenti i komisionit evropian, Barrot, për suksesin e reformave në Shqipëri sikundër më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në konsolidimin e suksesit të reformave. Nga muaji Maj komisioni evropian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura. Jam i bindur se po  ecet në rrugë të mbarë dhe se zv/presidenti më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në këtë proces.”

Ndërkaq Berisha ka pohuar se e ka njohur zv/presidentin e komisionit evropian edhe me vendimin e Shqipërisë për të aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat si anëtar i Bashkimit Evropian.

Sali Berisha: “Paraqita arsyet se pse Shqipëria, një vend i cili ka realizuar ratifikimin nga të 27 vendet e Bashkimit Evropian të marrëveshjes Stabilizim-Asociimit dhe ka pasur suksese të qarta në reformat që i njeh tashmë edhe raporti i komisionit evropian. Do të kandidojë gjatë presidencës çeke për statusin e kandidatit. Komisioni ka mbajt gjithnjë një qëndrim të favorshëm drejt zgjerimit. Natyrisht ky është një proces i cili merr kohën e duhur”.

Gjatë qëndrimit të tij në Davos ku po zhvillohet forumi i përvitshëm ekonomik botëror kryeministri Berisha është takuar me shumë personalitete botërore, mes të cilëve dhe me kryeministrin e Pakistanit, zotin Gilani.

Dy homologët janë ndalur në bashkëbisedimin e tyre në potencialet e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht në nevojën e zgjerimit të tyre./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka