Lajme Arkiva 2003

Selia blu ka reaguar sot pas publikimit të raportit të OSBE-së për klimën aktuale politike në Shqipëri. Lider i opozitës Sali Berisha dhe sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare në Partinë Demokratike Besnik Mustafaj, kanë përshëndetur raportin si tepër objektiv dhe të ndershëm, si dhe kanë shprehur keqardhjen pasi në raport sipas tyre, ashtu siç ka deklaruar herë pas here edhe opozita, thuhet se mediat janë nën presion e qeveritarëve.

Besnik Mustafaj: Ne falënderojmë misionin e OSBE-së në Tiranë, për vëmendjen me të cilin ndjek realitetin shqiptar. Për ne monitorimi i krizës shqiptare nga OSBE është një faktor i domosdoshëm në mënyrë që të realizohen ato standarde pa të cilat nuk ka të ardhme të Shqipërisë në Evropë. Nga ana tjetër shprehi keqardhjen tonë të thellë duke konstatuar se përsëri nuk ka vesh mazhoranca shqiptare për të dëgjuar kambanat që bien edhe në këtë raport, shprehim edhe njëherë shqetësimin tonë të thellë lidhur edhe me problemet e mëdha që ka shtypi dhe media në Shqipëri, të cilat po kontrollohen nga qeveria qoftë nëpërmjet presionit politik, qoftë edhe nëpërmjet presionit ekonomik, duke cenuar një nga fondamentet e demokracisë është fjala e lirë.

Sali Berisha: E gjykoj këtë raport si objektiv, të ekuilibruar, të ndershëm dhe në këtë rast unë dëshiroj të siguroj organizatën e OSBE-së, por edhe shqiptarët se roli konstruktiv dhe parlamentarizmi, i cili vlerësohet shumë në raport, si meritë e kryesisë së opozitës, përmban linjën tonë themelore, nuk ka dyshim se nuk ka asgjë më të pasigurt se një vend ku dhunohet kushtetuta, se një vend ku regjimi është caktuar me votën e vjedhur, se një vend ku ligji shkruhet e rishkruhet çdo ditë nga zyrtarët e korruptuar.

Ndërkohë lideri i opozitës ka folur sot edhe për vendimin e kryeministrit Fatos Nano për bllokimin e komisioneve parlamentare hetimore./tvklan.al