Me nisjen e sezonit veror, Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet ndaj mjeteve lundruese kryesisht ndaj atyre të argëtimit. Bëhet fjalë për kontrolle në të gjithë vijën bregdetare për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe rregullave të lundrimit. Nga Ksamili deri në Velipojë, mësohet se janë kontrolluar 78 mjete lundruese, kryesisht Jet Ski, skafe dhe gomone.

5 prej pronarëve të tyre, në Durrës dhe Vlorë u ndëshkuan me nga 10 mijë lekë secili, për mungesë dokumentacioni. Pas komunikimit të gjobës, atyre iu bllokuan mjetet lundruese.

Policia kufitare gjithashtu bllokoi edhe 4 Jet Ski të tjerë në Velipojë, Durrës dhe Vlorë. Kjo për shkak të mos respektimit të perimetrit të sigurisë, ndërsa pronarët e tyre u ndëshkuan me nga 20 mijë Lekë secili.

Në funksion të sezonit veror, por edhe parandalimit të aksidenteve rrugore, policia në një javë ka ndëshkuar rreth 27 mijë drejtues mjetesh. Masat administrative janë për shkelje të ndryshme, duke përfshirë shpejtësinë tej normave, përdorimin e celularit, parakalimet e gabuara, apo kryerjen e manovrave të rrezikshme në rrugë.

Sipas policia në 7 ditë gjithashtu janë pezulluar 121 patenta, për shpejtësi dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur. Gjithashtu janë arrestuar edhe 31 shoferë, pasi u gjetën në paligjshmëri.

Klan News