Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me UEFA-n do të organizojnë projektin “Akademia për zhvillimin e të rinjve elitarë”. Projekti do të vihet për herë të parë në zbatim gjatë muajit shtator sipas një programi të koordinuar në detaje nga qeveria europiane e futbollit, e që do të udhëhiqet nga institucioni shqiptar i futbollit.

Objektivi është edukimi dhe trajnimi i talenteve të datëlindjeve 2010 dhe 2011, jo vetëm në kontekstin sportiv por edhe në atë edukativ dhe personal.

Eventi do të zbatohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe i gjithë programi do të zgjasë për 4 sezone, nga muaji shtator 2024 deri në qershor 2028.

Në këtë projekt do të përfshihen në total 37 lojtarë të grupmoshave U-14 dhe U-15. Stafi teknik do të jetë i përbërë nga dy trajnerë dhe asistentë, përgatitës atletikë, trajnerë portierësh, video-analist, fizioterapist dhe kujdestar.

Sipas FSHF, ky program ka mjaft rëndësi për zhvillimin dhe rritjen e talenteve më të spikatur brenda vendit, ku qëllimi është ngritja e nivelit në aspektin cilësor dhe konkurrues.

Klan News