Gazmir Preçi, shefi i Trafiqeve në Policinë e Durrësit u arrestua nga AMP, sapo mori shumën prej 10 mijë eurosh nga pronari i lokalit të natës, që është dhe personi që e kallëzoi atë.

Vendtakimi për dorëzimin e parave ishte në Tiranë në afërsi të zonës së Kinostudios.

Sapo denoncuesi i ka dhënë një pjesë një pjesë të parave, kanë ndërhyrë oficerët e AMP. Nga hetimet e këtyre të fundit ka rezultuar se Preçi duke e kërcënuar se do t’i mbyllë lokalin i ka vënë gjobë prej 20 mijë eurosh pronarit të biznesit.

Sipas biznesmenit, shefi i policisë i bënte presion atij se do i mbyllte biznesin me argumentin se kishte të punësuar persona të cilët nuk i kishte të siguruar në punë.

Pas arrestimit të Gazmir Preçit, AMP sekuestroi shumën prej 10 mijë eurosh dhe dy aparatet celulare të tij.

Për operacionin e zhvilluar reagoi dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i cili inkurajoi autoritetet për ndëshkimin e kujtdo punonjësi policie që hiqet si padronë i qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo si shërbëtor i ligjit.

Tv Klan