Për herë të parë pas vdekjes së Ismail Kadaresë, bashkëshortja e tij, Helena shpreh në publik pa i fshehur, emocionet e saj për ikjen e njeriut me të cilin ndau 61 vite të jetës së saj.

Helena Kadare: Ju falenderoj të gjithëve që erdhët në këtë përkujtimore, në homazh të Ismailit. Më falni se jam e emocionuar.

Miq e familjarë e kujtuan Ismail Kadarenë duke ndarë me njëri-tjetrin vlerësimin për të dhe vepren e tij, një pasuri e madhe dhe e paçmuar që trashëgoi populli shqiptar pas “ikjes” së tij.

Blendi Fevziu: Ismail Kadareja është i të gjithë shqiptarëve dhe vepra e tij është aty. Një vepër e cila del mbi kohën dhe mbi të gjitha është një prej monumenteve që nderon Shqipërinë.

Inva Mula: Në artin tim nuk kisha paraardhës dhe të gjithë më pysenin nga vjen nga Shqipëria? Po pse ka opera? Pika e vetme që ishte pikë referimi ishte Ismail Kadare.

Bujar Hudhri: Askush si ai nuk e ka dashur këtë vend, këtë popull, këtë gjuhë.

Veton Surroi: Vlera e madhe Ismail Kadaresë ka qenë formësimi i rrëfimit bashkëkohor ë shqiptarë.

Sa ishte i vlerësuar për penën e tij brenda e jashtë Shqipërisë, Ismali Kadare po aq ishte dhe një nga njerëzit më të sulmuar nga njerëzit e vendit të tij.

Helena Kadare: Rrugëtimi i tij ka qenë plot kthesa për miliona adhuruesit e tij nëpër botë dhe sigurisht duke filluar nga shqiptarët, por ka qenë edhe rruga tjetër e sulmeve që janë bërë kundrejt tij.

Blendi Fevziu: Unë nuk kam parë njeri që të sulmohet më shumë pa të drejtë dhe pa asnjë fakt. Në Shqipëri kjo ndodh. Sa më shumë sukses të kesh, aq më shumë sulme do të kesh.

Blendi Fevziu, një nga gazetarët që ka pasur fatin ta intervistojë disa herë Kadarenë veçoi në fjalen e tij dhe tipare të karakterit të shkrimtarit që jo rrallëherë janë interpretuar dhe si arrogancë.

Blendi Fevziu: Nuk kam njohur një njeri që të kishte bezdi komplimentat dhe elozhet si Ismail Kadareja, edhe pse ende sot në Shqipëri nuk gjej një personazh të dytë që t’i meritojë këto komplimenta dhe elozhe si ai.

Ismail Kadare ndërroi jetë në 1 Korrik në moshën 88-vjeçare nga një arrest kardiak. Veprat e tij janë përkthyer ne 45 gjuhë të botës, ndërsa u nderua sa ishte gjallë me shumë çmime e tituj prestigjioz ndërkombëtar.

Shumë herë ishte kandidat për çmimin Nobel, por ndonëse asnjëherë të fituar, Kadare mbetet sot shkrimtari më i njohur shqiptar në botë.

Tv Klan