Bashkimi Evropian i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila i ka quajtur raciste deklaratat e BE-së karshi hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Nëpërmjet zëdhënësit, Peter Stano, BE përsërit qëndrimin se për vendime specifike, Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me aleatët dhe të bisedojë me komunitetet që preken nga ato. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe prapa nëse nuk i dëgjon aleatët.

“Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa.”

Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë për hapjen e urës, ndonëse SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it konsiderojnë se aktualisht nuk është koha e përshtatshme dhe se ky veprim mund të shkatojë tensione të reja në këtë pjesë të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani një ditë më parë tha se për çështjen e urës nuk duhet që të dialogohet në Bruksel, por kjo çështje duhet të vendoset bashkarisht me faktorin ndërkombëtar në një kohë të përshtatshme në mënyrë që hapja e urës për qarkullimin e makinave të jetë e përhershme.

Tv Klan