Të ftuar:

Elinda Gjata – gjinekologe

Teuta Maçi – farmaciste

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Ëmbëlsirë e butë dhe krokante vetëm për 15 minuta

Brumi:

1 vezë

80 gr sheqer

100 ml vaj vegjetal

250-280 gr miell

10 gr pluhur pjekës

Për kremin:

1 të verdhë veze

300 ml qumësht

1 pako sheqer vanilje

2 lgj sheqer

2 lgj niseshte

100 gr pjeshkë (komposto)

Brumi për mbulesë

20 gr gjalpë i ftohtë

4 lgj miell

2 lgj sheqer

Fillimisht përgatisim brumin për bazën e ëmbëlsirës. Në një tas vendosim një vezë, shtojmë sheqerin, i përziejmë mirë. Duke shtuar më pas vajin vazhdojmë përzierjen duke shtuar në fund miellin dhe pluhurin pjekës.

Punojmë brumin me duar e më pas, pasi të kemi lyer një tepsi me gjalpë, hapim hapim brumin me duar ose me rolon mbi një letër pjekje e më pas e nivelojmë atë në një tepsi tjetër. Bashkojmë në një tigan salce 1 të verdhë veze, qumështin, vanilje, 2 lugë gjelle sheqer, 2 lugë gjelle niseshte, i përziejmë mirë dhe i vendosim në zjarr deri në vlim. Shpojmë me pirun bazën e ëmbëlsirës e më pas nivelojmë kremin e përgatitur mbi të.

Presim në kubikë pjeshkët dhe i shtojmë mbi sipërfaqen e kremit. Në grirësen e qepës vendosim 1 lugë gjelle gjalpë të ftohtë, 4 lugë gjelle miell, 2 lugë gjelle sheqer, i përziejmë mirë dhe na përftohet një masë brumi e thërrmuar me të cilën mbulojmë komplet sipërfaqen e ëmbëlsirës mbi pjeshkë. Vendosim tavën në furrën e parangrohur në temperaturë 200 gradë për 25 minuta. Pasi ftohet, në fund mund ta pudrosim me pak sheqer pluhur në pjesët anësore të ëmbëlsirës.

Fërgesë me miell misri dhe qepë të njoma

4-5 qepë të njoma

2 thelpinj hudhra

50 gr gjalpë

1 lgj vaj ulliri

3 lgj miell misri të verdhë

500 ml qumësht

Kripë dhe piper i zi

Pak piper i kuq

100 gr djathë mocarela

Në një tigan shkrijmë gjalpë, vaj dhe vendosim qepët e grira në unaza të holla, 2 thelpinj hudhër të grira hollë dhe i kaurdisim deri sa qepa të ulë volumin. Shtojmë 3 lugë gjelle majdanoz të grirë dhe i përziejmë pak. Shtojmë miellin e misrit dhe i përziejmë së bashku.

Shtojmë qumështin duke i përzierë vazhdimisht sa masa të trashet. Rregullojmë shijen me kripë, piper të zi, piper të kuq dhe në fund shtojmë djathin mocarela për t’i dhënë një trajtë kremoze. Por në mungesë të djathit mund të përgatitet dhe me 2-3 lugë gjelle gjizë të shtuar në momentin e fundit në zjarr të fikur. Shërbehet me bukë të thekur.

A sjellin pasoja kontraceptivët oralë?

Deri në infertilitet, çfarë sjell marrja e shpeshtë e pilulës së emergjencës

“E marrin disa herë në muaj ose para aktit seksual”, efektet anësore të pilulës së emergjencës

Pilula e emergjencës është një nga metodat kontraceptive që konsiderohet si “plani B”. Ajo këshillohet të merret brenda 72 orësh nga kryerja e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura për të shmangur shtatzëninë e padëshiruar.

Farmacistja Teuta Maçi shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se efikasitet është më i lartë në 24 orët e para. Pilula nuk ndikon në një shtatzëni të mëvonshme, gjithnjë nëse merret sipas rekomandimit. Maçi përjashton rastet kur pilula është e dëmshme siç ndodh kur merret përpara kryerjes së aktit seksual ose merret më shpesh.

Teuta Maçi: Pilula  e emergjencës është deri në 85% efikase dhe kjo vetëm nëse merret brenda 24 orëve të para. Pas 24 orëve, me çdo 24 orë që kalojnë ky efikasitet bie prandaj unë kam të dëgjuar edhe nga shoqet e mia që pavarësisht se kanë marrë pilulën e emergjencës sërish kanë mbetur shtatzënë çka duhet thënë që nuk përbën problem për lindjen e fëmijës sepse ndonjëherë krijohet ideja që kam marrë pilulën dhe mos ka ndikuar. Nuk ka ndikim, kështu që të jenë të qeta. Megjithatë, pilula e emergjencës është e sigurtë deri në njëfarë mase, kjo siguri bie sa më shumë që vonon marrja e saj nga momenti i aktit.

Ajo që dua të them është diçka tjetër që shohim edhe nga praktika që shpeshherë zonjat e marrin para se të kryejnë aktin me idenë që janë të mbrojtura dhe që mund të kryejnë marrëdhënie në mënyrë të lirshme çka është jashtëzakonisht e gabuar, qoftë në koncept, qoftë në mbrojtje. Në radhë të parë sepse mbrojtja nuk është optimale dhe në radhë të dytë sepse efektet anësore sido që të vijë puna edhe pse janë të vogla, të pakta e mund të tolerohen në përdorime sporadike të rralla, në momentin që bëhet zakon dhe që trupin e ngarkon me një dozë hormonale, sigurisht që ajo do të sjellë pasoja fillimisht në ndryshimin e ciklit e pastaj edhe me efekte të tjera qoftë gastrointestinale, ndryshime hormonale që sjell si pasojë ndryshimin e ciklit të ditëve të gjakderdhjeve kështu që ka pasoja dhe nuk duhet marrë me mendje të lirë nga vetë personi sa herë mendojnë që është mënyra më e shpejtë për të zgjidhur një problem.

Gjinekologia Elinda Gjata e përforcon këtë dhe shton se ka vajza që marrin pilulën e emergjencës disa herë brenda muajit. Kjo sjell mbingarkimin e organizmit me hormone të cilat është më mirë të merren në doza të përditshme dhe të kontrolluara.

Elinda Gjata: Marrja pa kriter e kontraceptivëve, sidomos e këtyre të urgjencës, e shohim edhe te gocat e reja, por jo vetëm në fakt, marrjen disa herë brenda muajit. Nëse ato rrezikojnë disa herë brenda muajit është më mirë që të marrin pilulën çdo ditë të minidozuar se sa të marrin bume me hormone vazhdimisht brenda muajit.

Sterilizimi femëror, mjekja: Ka gra të cilat pendohen