Të ftuar:

Doreada Mio – gazetare

Arjan Dredhasi – këngëtar

Gresa Gjocera – këngëtare

Kejdi Mehmetaj – deputete

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Kek me portokall dhe çokollatë

3 kokrra vezë
150 gr sheqer
1 lgj lëkurë portokalli
100 ml lëng portokalli
100 gr margarinë
200-250 gr miell
1 pako pluhur pjekës
80 gr grimca çokollate
Dekori
3 lgj sheqer pluhur
1 lgj lëng portokalli
80 gr arrë kokosi pluhur

Në një tas rrahim vezët dhe sheqerin për 5 minuta. Shtojmë lëkurën e portokallit, lëngun e portokallit, margarinën e tretur pak dhe i përziejmë mirë. Shtojmë miellin, pluhurin pjekës dhe i përziejmë mirë. Në fund shtojmë copëzat e çokollatës dhe shtojmë brumin në një tepsi drejtkëndëshe 35 me 12 cm. E pjekim në temperaturë 175 gradë për 30-35 minuta. Përgatisim salcën e dekorit. Në një tas vendosim 3 lugë gjelle sheqer pluhur, 1 lugë gjelle lëng portokalli. I përziejmë mirë sa marrin trajtën e një brumi dhe pasi keku të jetë ftohur e lyejmë me furçë të gjithë kekun dhe e pudrosim me arrë kokosi. Sipas dëshirës mund të vendosni dhe disa feta portokall në sipërfaqe

Oriz i zi me karkaleca dhe avokado

250 gr oriz i zi
200 gr karkaleca
150 gr domate qershi
150 gr avokado
Kripë dhe piper i zi
Vaj ulliri
Trumzë
1 lgj lëng limoni
Pak majdanoz

Fillimisht vendosim në zjarr një tenxhere me ujë të bollshëm për të valuar. Shtojmë orizin e zi dhe pasi e përziejmë shtojmë pak kripë dhe e lëmë në zjarr për të valuar për 16 minuta, më pas e kullojmë. Ndërkohë që orizi zien, ne presim në copëza të vogla karkalecat duke ruajtur 1-2 copë për dekor. Skuqim copëzat e karkalecave në tigan me pak vaj ulliri dhe me një degë trumzë për 3-4 minuta. Domatet qershi i presim në kubikë të vegjël. I vendosim në një tas dhe i marinojmë me pak kripë, vaj ulliri dhe pak fare majdanoz të grirë hollë.

Po ashtu dhe avokadon e presim në kubikë të vegjël dhe e vendosim në tas duke e marinuar me pak limon, kripë, piper të zi dhe vaj. Shtojmë në tasin me avokado dhe karkalecat dhe domatet në kubikë dhe i përziejmë. Tek tasi me oriz të kulluar shtojmë pak vaj ulliri, trumzë. Më pas i bashkojmë të gjithë përbërësit duke i dekoruar dhe i shërbejmë.

A e zgjedhim partnerin me tipare të ngjashme me prindërit tanë?

Nënë për herë të dytë, Kejdi Mehmetaj ndan përjetimin

Ish-deputetja Kejdi Mehmetaj u bë nënë për herë të dytë më 19 gusht. Familja e saj u shtua me një anëtar të vogël të quajtur Rron. Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Mehmetaj ndau ndjesitë e para pas ardhjes së djalit në jetë dhe si e ka pritur vajza e madhe më të voglin e familjes.

Katerina Trungu: Si po ndihesh përpara se të hidhemi te pyetja jonë?

Kejdi Mehmetaj: Mirë. Me fëmijën e dytë je shumë më e  përgatitur, kështu që ndihem si mami me eksperiencë.

Katerina Trungu: Po motra si është me vëllain?

Kejdi Mehmetaj: Po mirë, menduam që do të ishte pak më tepër xheloze, por po e përballon mirë. Brenda emocioneve të saj se edhe ajo është e vogël akoma, por mirë. E ka mendjen te vëllai, por mamin s’do ta ndajë, megjithatë po përshtatemi të gjithë si familje.

“O martohemi o s’ka”, historia e dashurisë që mbeti pezull dhe rinisi pas 16 vitesh

Këngëtari i njohur Arjan Dredhasi shprehet në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se “e ka zgjedhur bashkëshortja”. Në këndvështrimin që ai ndan me “Shije Shtëpie” në Tv Klan, pas kësaj zgjedhjeje nuk ka qenë kërkimi i një modeli apo ngjashmërie me prindërit, por thjesht tërheqje. Kjo tërheqje rezultoi një histori dashurie  që mbeti pezull për 16 vjet derisa u vulos me martesë.

Arjan Dredhasi: Për sa më përket mua, më ka zgjedhur bashkëshortja. Teoria ime është që meshkujt nuk besoj se zgjedhin, janë femrat ato që zgjedhin.

Doreada Mio: Kanë ndryshuar kohët.

Arjan Dredhasi: Unë po flas për veten time, them se në kohën time na zgjidhnin. Pa diskutim që pasi kishim grisur atletet ne duke e ndjekur nëpër rrugët e Korçës bashkëshorten që kam unë dhe normale që ishin shumë meshkuj që shkonin sytë tek ajo, por unë e quaj veten me  fat që më ka zgjedhur. Pastaj nga momenti që jemi bashkë se jemi shumë vite dhe unë jam shumë  i lumtur për këtë gjë, por nga ai moment e deri më sot, çdo ditë është një test, pa diskutim.

Agida Koçi: Sa kanë zgjatur kilometrat, sa atlete ke grisur? Sa vjeç ke qenë?

Arjan Dredhasi: Sa të duash.Ta nxjerr pasaportën…unë kam që në… nuk mund të quhet dashuri se ne kemi qenë të vegjël, unë 18, ajo 14, por ka qenë ai pëlqimi fëminor që unë nuk shihja as fytyrën e mamit, as ajo të babit, ka qenë një tërheqje që kishim ne, ta quajmë kimi që pas njëfarë kohe ne e humbëm për arsye… ishte tranzicioni në ’91, prindërit kanë qenë ambasadorë, ajo shkoi jashtë, unë shkova jashtë dhe për rreht 16 vjet humbëm, jo se u ndamë për një arsye dhe pas 16 vjetëve ishim direkt me unazë, s’i kishim blerë akoma por nejse, ishim direkt o martohemi o s’ka.

Pse kërkojmë në jetë modelet me të cilat jemi rritur

“Goca e babit”, Gresa Gjocera: Doja që partneri t’i kishte duart e bukura si ai

Gresa Gjocera, këngëtarja e njohur, nuk e ka zgjedhur partnerin për ngjashmërinë e tij me babanë e saj. Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan,  ajo thotë se ata nuk kanë ngjashmëri dhe për më tepër, “si babai nuk bëhen dy”. Asaj i pëlqenin shumë duart e tij dhe dëshironte që partneri ta kishte këtë tipar, por nuk ndodhi.

Këngëtarja tregon se ka një lidhje shumë të veçantë me të atin dhe është “goca e babit”, madje gjithnjë e tregonte hapur këtë ‘dallim’ mes prindërve.

Gresa Gjocera: Unë jam vajza e vogël e babit. Unë jam e madhja faktikisht, por edhe një ndryshim shumë i madh, babi gjithmonë më ka konsideruar si çuni i babit, gjithmonë kam qenë çuni i babit.  Kam qenë natyrë çuni, kështu që… me të vërtetë kam qenë natyrë çuni. Gjithmonë kam kërkuar, fiksimi im te babi im përpos që jam e dashuruar, është dashuria ime e parë dhe do të vazhdojë të jetë dashuria ime e parë babi, dorën ia doja shumë, e kishte shumë të bukur dhe gjithmonë i shihja meshkujt edhe nga dora. Nuk i ngjan, ndoshta tregohem një çikë egoiste por si babi im nuk bëhen dy kështu që është vetëm një. Mund  të thuhet dhe për mamin kjo, por unë them për babin se unë jam goca e babit, e kam deklaruar që kur kam qenë e vogël dhe nuk më vinte fare turp, gjithë njerëzit kur pyesnin e do mamin, babin, unë kam  gocën për shembull, të dy i dua thotë, ndërsa unë nuk e vrisja fare trurin, dua vetëm babin.