#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

Të ftuar: Teuta Maçi- farmaciste, Krisanthi Kalogeri- astrologe

2 receta nga Znj.Vjollca

Mish viçi me qepujka dhe speca

500 gr tul viçi
500 gr qepë të vogla
3 speca jeshil
2 speca të kuq
5 thelpinj hudhra
4 domate
1 lgj gjalpë
3-4 lgj vaj ulliri
Kripë dhe piper i zi
1 lk piper i kuq
1 lk trumëz
1 lk kumin
1,5 lgj salcë domate
1,5-2 gota ujë

Fillimisht në një tigan të thellë kaurdisim copat e tulit të prerë në kubikë sa të përthithin lagështirën. Shtojmë vaj ulliri, 1 lugë gjelle gjalpë dhe vazhdojmë skuqjen së bashku me qepët e vogla deri sa qepët të zverdhen pak. Shtojmë specat të prera në copa mesatare dhe i presim të gjitha për 2-3 minuta. Më pas shtojmë domatet të qëruara nga lëkura dhe të prera në kubikë. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi, piper të kuq, trumëz, kumin. I përziejmë mirë dhe vendosim kapakun për 5-8 minuta. Në dy gota ujë hollojmë salcën ose purenë e domates. E shtojmë në tigan, e përziejmë dhe i lëmë të gjithë përbërësit të ziejnë në temperaturë mesatare për 45 minuta deri sa mishi dhe qepët të kenë zier dhe receta të ketë mbetur me pak lëng. E shërbejmë me bukë të thekur por do të kombinonte shumë mirë edhe një kupë pilaf.

Sallata plot cilësi dhe shije me karrota, qiqra dhe fruta të thata

400 gr karrota
300 gr qiqra të gatuara
1 qepë e kuqe e vogël
3 lgj majdanoz
3 lgj koriandër
50 gr bajame të copëtuara
50 gr boronica të thata
Marinimi
Lëngu i gjysmë portokalli
Lëngu i gjysmë limoni
Kripë dhe piper i zi
0,5 lk kumin
Një majë luge kanellë
3-4 lugë gjelle vaj ulliri

Në një tas grijmë në rende karrotat. Në po këtë tas shtojmë qepën të grirë në kubikë të vegjël, bajamet e copëtuara, 3 lugë gjelle majdanoz të grirë po ashtu edhe 3 lugë gjelle koriandër. Shtojmë në fund boronicat e thara dhe i përziejmë të gjithë përbërësit në një tas.

Bashkojmë në një tas tjetër lëngun e portokallit, lëngun e limonit, kripë dhe piper të zi, kumin, pak kanellë dhe vajin e ullirit. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit e marinimit dhe i shtojmë në tasin e sallatës. E përziejmë mirë dhe e shërbejmë në pjatë për servirje.

Këshillat e farmacistes/Përgatisim fëmijët për nisjen e shkollës

09/09, cili është kuptimi në numerologji për datën 9 të muajit të 9

Javë e mirë me shanse dhe mundësi, horoskopi për secilën shenjë

/tvklan.al