Shirat e shumtë dhe të rrëmbyeshëm që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit në rrethin e Librazhdit, kanë bllokuar disa pjesë të aksit rrugor Librazhd- Qafë Thanë dhe shumë pjesë të rrugëve rurale në fshat.

Dy drejtoritë e mirëmbajtjes së rrugëve, asaj nacionale dhe rurale, mbulohen respektivisht nga 400 kilometra rrugë për tu mirëmbajtur nga reshjet atmosferike dhe shembjet e ndryshme. Gjatë natës së mbrëmshme ka pasur shumë shembje dhe rrëshqitje dherash ku pjesët më problematike kanë qenë Murrashi kthesat e Dragostunjës, Polisi e Babja, ku niveli i prurjeve ka qenë më i madh dhe ku nga shirat e rrëmbyeshëm ka pasur rënie të gurëve dhe zhavorreve në përpjesëtime të mëdha.

Në rrugën nacionale Librazhd-Qafë Thanë është punuar gjatë gjithë natës në mes të reshjeve të vazhdueshme. Në të gjitha pjesët e bllokuara gjatë gjithë orëve të natës ka patur punëtorë të cilët kanë punuar dhe në mëngjes herët, rreth orës 6:00 është bërë i mundur zhbllokimi i të gjitha pjesëve në të cilat kishin pjesët e dherave dhe të gurëve.

Ndërkohë është ngritur edhe një shtab i cili mban në kontroll të gjitha pjesët e rrugëve më problematike për ti mbajtur ato të zhbllokuara dhe për të mos patur aksidente. Gjithashtu mund të përmendet edhe puna e mirë e policisë rrugore e cila ka punuar gjatë gjithë natës nën reshjet e shumta për të patur një qarkullim sa më normal dhe pa probleme të automjeteve./tvklan.al