Shkelja e ligjit në Shqipëri ka fituar qytetarinë. Rastet e përsëritura nga qeveria, e cila me vendime të veçanta nuk zbaton atë që vetë e ka shkruar, por ligjëron shkeljen, lënë shkak për përfitime dhe nuk i hapin rrugë konkurrencës. Zyra që mbron qytetarët deklaron se tenderat për prokurime publike, firmosur nga kryeministri Nano, cënojnë edhe taksapaguesit shqiptarë.

“Për mua është e dukshme shkelja e ligjit në këto raste, por ajo që unë vë re, qoftë si specialist, qoftë si përfaqësues i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, shkelja e ligjit tek ne ka marrë qytetari dhe, si të thuash, antirregulli është bërë rregull. Në 10 vendime janë, me sa di unë, në rreth 7 prej tyre është përdorur kërkesa për kuotim, pra procedurë e veçantë e tenderimit dhe në 3 prej tyre prokurorimi i drejtpërdrejtë. Në rastin e prokurorimit të drejtpërdrejtë përcaktohet direkt se cila shoqëri, firmë, siç jemi mësuar t’i themi, do të bëjë punimet, ndërsa në rastin e kërkesave për kuotim përcaktohet grupi i shoqërive që do të marrin pjesë në tender dhe në këtë rast është e përcaktuar dhe një shumë limit brenda të cilave mund të përdoret kjo, ndaj prokuruesve duhet të jetë e përcaktuar paraprakisht një shumë limit se kur përdoret tenderi për kuotim.”

Vendimet e miratuara, 7 me kërkesën për kuotim për rikonstruksion rrugësh dhe 3 me prokurim të drejtpërdrejtë, sipas partive në opozitë, por edhe juristëve, duhet t’i kalojnë rrugës së hetimit. /tvklan.al