Pavarësisht reshjeve të shiut që kanë vijuar edhe gjatë natës së sotme, situata në Qarkun e Shkodrës është nën kontroll nga Shtabi i Emergjencës Civile të ngritur në qytetin verior.

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi se kanë vijuar dhe gjatë paradites operacionet e evakuimit dhe ato të shpërndarjes së ndihmave ushqimore dhe medikamenteve mjekësore.

Basha tha se po vazhdon puna edhe për ndërtimin e argjinaturave te lumenjtë në veri të vendit. Lumi Bunë ka krijuar një situatë të ngjashme me atë të Shkodrës dhe në fqinjin tonë malazez.

Zv. Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, njëherësh kryetar i Shtabit të Emergjencës ngritur në këtë shtet, si dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, të cilët kanë zhvilluar takime me autoritetet vendore në qytetin e Shkodrës, kanë deklaruar se përmbytjet kanë përfshirë dhe disa qytete të Malit të Zi.

Kryekomunari i Ulqinit ka bërë apel që situata e krijuar të mos shfrytëzohet për propogandë politike.

Tv Klan