Protestuan për ditën e parë të shkollës për kushtet e papërshtatshme, ndërsa tani rrezikojnë të mbeten dy muaj pa zhvilluar mësim.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare, “4 Dëshmorët” në qytetin e Lushnjës do t’u duhet të presin deri në rikonstruksionin e godinës së re.

Bashkia ka vendosur ndërhyrjen në ambiente pas një fondi të akorduar nga Ministria e Arsimit.

Inspektorati i Higjienës e cilësoi këtë shkollë si të papërshtatshme, ndërkohë që ka dhënë alarmin edhe për mbylljen e disa shkollave të tjera.

Giomela Ndreka: “Në qytet rezultojnë rreth katër shkolla, po ashtu edhe në fshat, për komuna rreth dhjetë shkolla që nuk plotësojnë asnjë kusht higjieno-sanitar dhe sipas ligjit ato duhet të mbyllen. Banjat janë me shumë probleme, ku janë të dëmtuara tubacionet dhe janë të amortizuara. Po ashtu edhe soleta është shumë e dëmtuar. Uji nuk është i mjaftueshëm, po ashtu edhe dyert e dritaret janë të amortizuara”.

Nga dita e hënë shkolla të do të mbyllet për t’iu nënshtruar rikonstruksionit të godinës, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende se ku do ta zhvillojnë mësimin nxënësit e kësaj shkolle./tvklan.al