Në vijim të rikonceptimit të plotë të hyrjes së Shkodrës, qeveria ka akorduar në buxhetin e rishikuar të këtij viti rreth 11 milionë Euro për dublimin e Urës së Bahçallëkut dhe zgjerimin e rrugës nga Ura tek Harku i Bërdicës. Investimi i jep zgjidhje trafikut në hyrje e dalje të Shkodrës gjatë sezonit veror.

Për këtë arsye Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur sot garën për ndërtimin e urës dhe segmentit rrugor. Lajmin e jep kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili thotë se fillimi i vitit tjetër do të jetë koha kur do të nisë puna për këtë projekt të rëndësishëm për qytetin dhe gjithë rajonin.

“Një falenderim për bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministren Belinda Balluku për reagimin shumë të shpejtë për buxhetimin dhe fillimin e procedurave. Ky është një tjetër premtim që po fillon realizimin brenda një viti po ashtu si parku i hyrjes, rruga e Dukagjinit, asfaltimet e rrugëve në qytet e fshatra dhe një sërë projektesh të tjera që janë zbatuar apo fillojnë së shpejti. Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare këto dy vite po investohen mbi 50 mln Euro në territorin e bashkisë sonë për një transformim të pashembullt, i cili arrihet vetëm me punë. Ditë shumë të mira po vijnë për Shkodrën, shume shpejt këtë model do ta replikojmë në të gjitha bashkitë e qarkut tonë”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale./tvklan.al