Peleshi: Pjesë e modernizimit të Forcave te Armatosura

Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të pajisen me një nga sistemet më të mira raketore antitank “Javelin”. Lajmin e konfirmoi Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili sqaroi  nga Pogradeci, se kjo është në kuadrin e modernizimit të FA.

Niko Peleshi: Sistemi raketor antitank “Javelin” po prodhohet nga kompania amerikane, më e madhja në botë e industrisë ushtarake Lockheed Martin dhe ne kemi bërë porosinë tonë aty si pjesë e rrugëtimit tonë për forcimin e FA, modernizimit, rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit tonë.

Peleshi mohoi ekzistencën e një kërcenimi konkret kundrejt Shqipërisë, duke shtuar se vendi ynë mbrohet nga Nato.

Niko Peleshi: Ne kemi zgjidhur çështjen e sigurisë kombëtare, jemi të mbrojtur, sepse na mbron neni 5 i traktatit të NATO-s, sipas të cilit hapësira e NATO-s është e paprekshme, por ne natyrisht do të vazhdojmë të ndjekim ritmin e NATO-s për t’u forcuar si pjesë e një aleance defensive.

Ministri i mbrojtjes rikonfirmoi edhe njëhere përkrahjen e Shqipërisë kundrejt kërkesës për anëtarësim në NATO nga Suedia dhe Finlanda. Raketat Xhavelin kanë qenë nga më efikaset në shkatërrimin e tankeve ruse gjatë luftës në Ukrainë.

Tv Klan