Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka deklaruar se në rajonin tonë mes fqinjëve, objektivat e përbashkëta gjeopolitike, ekonomike dhe sociale duhet të jenë prioritet dhe se mekanizmat e Procesit të Berlinit duhet të integrohen më mirë me ato të Bashkimit Evropian.

Sipas Hasanit, lufta në Ukrainë nënvizoi fuqimisht rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe prosperitetit, së bashku me përputhjen e rajonit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.  

Duke qëndruar tek bashkëpunimi rajonal, Ministri Hasani theksoi se konvergjenca me BE, është instrument i domosdoshëm për perspektivën e përbashkët evropiane.

Ai theksoi se, diskutimi aktual mbi Politikën e Kohezionit të BE-së dhe mbi kornizën e re financiare shumëvjeçare të BE-së pas vitit 2027, mund të jenë mjetet, përmes të cilave këto propozime do të luajnë rolin e tyre, në afrimin hap pas hapi të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Klan News