Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Shqipëria u përfaqësua në forumin ekonomik të Davosit, në edicionin e vetë të 31, nga Presidenti i saj Rexhep Mejdani. Në mes të 20 kryetarëve të shteteve dhe shumë drejtuesve të tjerë të biznesit dhe të politikës, Presidenti Mejdani parashtroi pikëpamjet e Shqipërisë, në sesionin e titulluar “Rindërtimi i stabilitetit të Ballkanit”. Mejdani deklaroi, se për të pasur një stabilitet afatgjatë në Ballkan, Jugosllavia duhet të lejojë të drejtën e vetëvendosjes për Kosovën dhe Malin e Zi.

Presidenti Mejdani propozoi një protektorat me karakter relativ për Kosovën, që nënkupton rritjen e kompetencave të saj në vendim-marrje, fuqizimin e vetëqeverisjes, të zhvillimit demokratik, shoqëror dhe institucional. Ndërsa presidenti jugosllav, Voislav Koshtunica ka reaguar duke thënë, se Serbia është një vend shumë etnik dhe se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet brenda kuadrit të rezolutës 1244 të OKB-së. Por Koshtunica tha, se vendi i tij kërkon marrëdhënie të mira me fqinjët dhe i ftonte ata për dialog demokratik./tvklan.al