Tirana zyrtare reagon pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga republika e Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë.

Kryeministri Berisha, e cilësoi këtë vendim si një mbështetje të fuqishme dhe një kontribut madhor për Kosovën dhe qytetarët e saj jo vetëm në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit, por dhe për paqen e stabilitetin në rajon.

Në një dalje për mediat edhe kreu i shtetit, Bamir Topi, e cilësoi vendimin e të dy shteteve si një kontribut që do të ndikojë për rajonin drejt rrugës euroatlantike.

Bamir Topi: “Njohja e pavarësisë së Kosovës nga republika e Malit të Zi dhe republika e Maqedonisë është jo vetëm një lajm mjaft i mirë që i kontribuon stabilitetit në rang ballkanik, por nga ana tjetër unë besoj dhe jam i bindur për këtë që do të ndikojë ndjeshëm edhe në rritjen e ndjeshmërisë së vendeve që janë më larg sesa rajoni ballkanik për të marrë vendimin e duhur. E ardhmja e Ballkanit sikurse është demonstruar dhe po demonstrohet dhe nga vendet, të cilat po bëjnë hapa të rëndësishme drejt integrimit pa diskutim që do të jetë në rrugën euroatlantike.”

Vendimi është përshëndetur dhe nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli duke e cilësuar atë një ogur i mirë që do të ketë jehonë në rritjen e numrit të vendeve që do të njohin shtetin e ri e demokratik të Kosovës.

Edhe Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka përshëndetur vendimin e dy vendeve fqinje nëpërmjet një deklarate duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm e të përgjegjshëm që vjen në kohën dhe drejtimin e duhur.

Arta Dade: “Partia Socialiste e Shqipërisë përshëndet aktin e njohjes së republikës së Kosovës nga dy shtete fqinjë shumë të rëndësishme në rajon, siç është Mali i Zi dhe Maqedonia. Kjo çon drejt konsolidimit të frymës së bashkëpunimit dhe rritjes së volumit të marrëdhënieve edhe në aspektin ekonomik dhe i jep një shpresë më të madhe popujve të rajonit për ta bërë rajonin tonë një vend më të mirë për të gjithë për të jetuar”./tvklan.al