Edhe pse Spanja është e njohur për turizmin e saj, mediat dedikuar udhëtimeve atje shkruajnë dhe promovojnë bukuritë e Shqipërisë, si një nga perlat e fshehura të Mesdheut.

“Conde nas Treveler” një artikull ja dedikon plazheve më të mira në rivierën joniane, bukurinë e së cilës thotë se nuk ka fjalë për ta përshkruar.

Ka përzgjedhur disa prej këtyre plazheve dhe nuk mungon Ksamili, Dhermiu, Gjipeja.

Më pak të njohur janë Buneci, Gjiri i Gramës, Llamani, Qeparoi, Borshi dhe Uji i Ftohtë, por që përzgjidhen në listen e plazheve më të mira në Shqipëri.

Përshkruan secilin prej tyre me detaje dhe se privatësia, qetësia dhe ujërat e pastërta janë arsye përse të huajt që kanë zgjedhur Shqipërinë t’i vizitojnë.

Një tjetër media spanjolle që shkruan për Shqipërinë është “Lekturas”, e cila u sugjeron lexuesve të saj Shqipërinë si një ndër 6 destinacionet e përzgjedhura për të pushuar këtë verë.

Arsyeja kryesore është se udhëtimi nuk do të jetë shumë i kushtueshëm dhe shpenzimet e përditshme nuk do të jenë stratosferike.

Një tur 10-ditor dhe që përfshin udhëtimin me avion nga Spanja në Shqipëri, transfertat, akomodimin në hotele me mëngjes, guidën dhe biletat në sitet arkiologjike sipas kësaj medie do të kushtojë vetëm 899 Euro, ose 89 Euro dita.

Turi fillon nga kryeqyteti, Tirana, dhe vazhdon me Krujën, shtëpitë osmane të Beratit, Apoloninë, Vlorën dhe Sarandën, ku mund të shijohen plazhet më të mira të Jonit.

Tv Klan