Shqipëria nuk është më një sekret për turistët e spanjollë. Mediat e një prej vendeve me të suksesshme në sektorin e turizmit në botë vijojnë të shkruajnë për bregdetin tonë.

E fundit është revista“Actualidad Viajes” që ka përzgjedhur plazhet më të mira që duhen vizituar në detin Jon, por edhe në Adriatikun e bukur.

Nuk është një risi që në listën e vendeve që duhen parë futet edhe Saranda e famshme për jetën e saj të natës, restorantet e shkëlqyera dhe plazhet mahnitëse. E për këto të fundit veçon plazhin e Pulëbardhës, Pasqyrave dhe Ksamilin e bukur.

Në këtë qytezë dallohen katër ishujt që mund të eksplorohen me kajak dhe varkë, por plazhi kryesor ndodhet pranë shkëmbinjve të vegjël me ujëra të pastra blu. Plazhi i Pasqyrave ndodhet afër Ksamilit dhe quhet kështu pasi ujërat e tij reflektojnë diellin me shkëlqim duke i dhënë atij një efekt magjik, njësoj si të ishte një pasqyrë. Ai ka një peizazh të mrekullueshëm me ujëra blu të thellë, rërë të butë dhe të bardhë e cila kthehet në guralecë duke iu afruar bregut.

Plazhe të tjera të rekomanduara janë ai i Jalës, i Bunecit i Borshit dhe i Palasës. Nëse turistët kërkojnë një alternativë më të qetë, Dhërmiu apo Himara janë opsionet e duhura. Muajt ​​e verës dhe piku i sezonit turistik janë qershori, korriku dhe gushti dhe për këtë arsye shumë plazhe do të jenë të mbushura me turistë.

Pranvera dhe vjeshta janë stinët më të mira  për të vizituar vendin tonë thotë media spanjolle pasi edhe temperaturat janë ende të ngrohta për të notuar.

Klan News